Flash News

E-TJERA

Vendimi/ Qeveria do të financojë bashkitë e Qarkut Durrës për trajtimin e mbetjeve

Vendimi/ Qeveria do të financojë bashkitë e Qarkut Durrës

Qeveria do të financojë bashkitë e Qarkut Durrës për trajtimin e mbetjeve urbane, që janë kthyer në një problematikë prej kohësh në qytetin bregdetar. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, ku iu kërkohet bashkive të marrin masa të menjëhershme për gjetjen e zgjidhjeve për menaxhimin/trajtimin e mbjetjeve urbane në këtë qark, duke mbajtur në konsideratë legjislacionin në fuqi në fushën e mbetjeve.

Sipas VKM-së, pas studimit të tregut dhe gjetjes së zgjidhjeve më të mira financiare për trajtimin e mbetjeve urbane, në përputhje me standardet e menaxhimit të integruar të mbetjeve, nëse efektet financiare të zgjidhjes janë të pamjaftueshme për t’u përballuar nga buxheti i bashkisë përkatëse të Qarkut të Durrësit, bashkia i drejtohet ministrisë përgjegjëse për financat, me qëllim mbulimin e diferencës së efekteve financiare të kërkuara.

Pas dërgimit të kërkesës financiare, ministritë propozuese të këtij akti i propozojnë Këshillit të Ministrave miratimin e mbështetjes financiare për bashkitë e përfshira në Qarkun e Durrësit, në përputhje me instrumentet e parashikuara në legjislacionin në fuqi, thuhet më tej në vendim, që hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Kujtojmë se ditët e fundit ka patur akuza nga ana e Partisë Demokratike se moszgjidhja e situatës së mbetjeve urbane për 4 vite rresht është “një plan i mirëfilltë mafioz”. Sipas PD-së, qeveria dhe Bashkia Durrës kanë shkaktuar qëllimisht emergjencën mjedisore me mbetjet në qytet, për të justifikuar dërgimin e tyre në landfillin e Sharrës, me çmim 40 euro për ton, 3 herë më shumë se sa planifikimi në startegjinë e qeverisë.

Vendimi/ Qeveria do të financojë bashkitë e Qarkut Durrës

Të fundit