Flash News

E-TJERA

Vendoret e 14 majit, Celibashi për DW: Partitë politike të zbatojnë ligjet, shqetësim keqpërdorimi i administratës shtetërore

Vendoret e 14 majit, Celibashi për DW: Partitë politike të

Data 14 maj në të cilën janë zgjedhjet vendore është shumë afër dhe partitë politike kanë nisur fushatat e tyre për të prezantuar projekte dhe për të bindur popullin që t’i votojnë. Megjithatë ajo që shqetëson është procesi i votimit, ku shpesh në vitet e fundit ka pasur polemika për transparencën.

 Një mision prej 324 vëzhguesish ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it do të vëzhgojë zgjedhjet lokale në Shqipëri. Ata do të shikojnë ecurinë e zgjedhjeve në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Në listat e zgjedhësve janë regjistruar 3 milionë e 600 mijë votues, të cilët do të votojnë në 40 subjekte politike. Si në çdo proces zgjedhor, qytetarët presin që rezultati i zgjedhjeve të shprehë vullnetin e tyre dhe ai të mos tjetërsohet.  Por pyetja është që a i garanton këto pritshmëri legjislacioni zgjedhor?

Subjeket politike të zbatojnë ligjet zgjedhore

Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, (KQZ), Ilirian Celibashi, në bisedë me DW, rreshton një sërë mekanizmash dhe garancish ligjore që mundësojnë një rezultat në përputhje me vullnetin e zgjedhësve, të shprehur me votën e tyre.

“Qëllimi kryesor i zgjedhjeve është të sigurojë një përfaqësim të saktë të vullnetit të popullit, një proces të lirë, të ndershëm dhe transparent. Pavarësia e KQZ, monitorimi i procesit zgjedhor nga misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, mbrojtja e votës së qytetarëve përmes votimit dhe numërimi transparent dhe i saktë janë ndër mekanizmat dhe garancitë kryesore ligjore."

"Është e rëndësishme gjithashtu që partitë politike në garë, kandidatët e tyre për organet e pushtetit lokal, të jenë të përkushtuar ndaj ligjeve, rregullave zgjedhore, të kenë qasje të barabartë dhe të ndershme ndaj mediave dhe financimit të fushatës zgjedhore,” thotë Ilirian Celibashi për DW.

Financimet private

Një tjetër problem është dhe lidhja e politikës me fonde e financime private të fushatave zgjedhore, të cilat kanë cënuar dhe tentojnë të cenojnë integritetin e procesit zgjedhor duke krijuar kushte për deformim të rezultatit, edhe pse legjislacioni zgjedhor kërkon t‘i ndalojë.

“Ligjet zgjedhore në Shqipëri kanë vënë kufizime të rrepta lidhur me burimet e financimit të fushatave zgjedhore. Ato synojnë ndalimin e vendosjes së interesave të financuesve privatë mbi ato të votuesve. Partitë politike e kanë të ndaluar të marrin fonde nga burime të jashtëligjshme. Ato janë të detyruara të deklarojnë të gjitha burimet e financimit dhe shpenzimeve për fushatën zgjedhore,” thekson komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirian Celibashi.

Ai vë në dukje, se dispozitat ligjore kanë vendosur detyrime të rëndësishme për partitë politike lidhur me deklarimin e burimeve e tyre të financimit dhe shpenzimeve në fushatën zgjedhore.

“Partitë politike në garë janë të detyruara me ligj të dorëzojnë në KQZ, rregullisht dhe në kohë, raporte financiare lidhur me të ardhurat dhe shpenzimet gjatë fushatës. KQZ i verifikon ato dhe u kërkon llogari partive politike kur konstaton shkelje të dispozitave ligjore dhe rregullave."

"Për herë të parë, për zgjedhjet lokale 2023 është krijuar edhe një platformë elektronike për raportimin financiar. Ajo lehtëson verifikimin e raporteve financiare të partive politike dhe kontrollin nga mediat dhe shoqëria civile. Transparenca e financimeve private të partive politike është një nga sfidat kryesore në mbrojtjen e integritetit zgjedhor në Shqipëri”, thotë Celibashi.

Keqpërdorimi i fondeve publike

Një tjetër dukuri negative që tenton të deformojë vullnetin e votuesit të shprehur me votë e tij është keqpërdorimi i fondeve publike, që ka qenë një nga shqetësimet thelbësore në raportin përfundimtar të misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare, 2021.

Në një intervistë ekskluzive për DW, ambasadorja Urszula Gacek, kryetare e misionit te atëhershëm të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHTR-it theksoi se ” keqpërdorimi i burimeve të administratës shtetërore, qëndrimi i paqartë ndaj kufirit mes partisë dhe shtetit ka qenë shqetësim më i madh se shit-blerja e votës. Ligji ka paqartësi. Askush nuk mund të hedhë poshtë që biznesi i qeverisë vazhdoi.”

A do të ndalojë ky biznes në zgjedhjet lokale 2023?

Ilirjan Celibashi tha se në procesin zgjedhor për zgjedhjet lokale, KQZ ka konstatuar shkelje dhe ka propozuar 20 sanksione nga të cilat 10 janë pranuar.

“Si asnjëherë më parë ne në KQZ jemi fokusuar më shumë në përgjegjësinë tonë për të shmangur përdorimin e burimeve shtetërore në fushatën zgjedhore. Të gjitha institucionet shtetërore dhe agjencitë e tyre janë të detyruara të njoftojnë KQZ për aktivitetet publike. Në procesin zgjedhor për zgjedhjet lokale 2023, KQZ ka konstatuar shkelje dhe ka propozuar 20 sanksione nga të cilat 10 janë pranuar."

"Janë ndaluar 7 aktivitete publike, nga të cilat 10 aktivitete për keqpërdorim të burimeve publike dhe 7 aktivitete për shkak të raportimit të vonuar. Në zgjedhjet paramentare 2021, KQZ nuk ka ndaluar asnjë aktivitet publik dhe vendosi vetëm 4 sanksione për keqpërdorim të burimeve publike,” thotë për DW Ilirian Celibashi.

Në këtë situatë për Komisionerin Shtetëror për Zgjedhjet , kryetarin e KQZ Celibashi, është shumë e rëndësishme pjesëmarrja e qytetarëve në votim. “Inkurajoj votuesit të shkojnë në votime, të ushtrojnë të drejtën e tyre zgjedhore. Subjektet politike në garë dhe kandidatët të respektojnë rregullat e lojës dhe të bëjnë fushatë në mënyrë të ndershme” thotë ai.

 

Të fundit