Flash News

E-TJERA

Vetëm 18.7% e zgjedhësve votuan në pesë bashkitë e vendit deri në orë 18.00

Vetëm 18.7% e zgjedhësve votuan në pesë bashkitë e

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat zyrtare mbi pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e pjesshme lokale, që u zhvilluan sot në pesë bashki të vendit.

Sipas raportimeve paraprake deri në orën 18:00, kanë votuar 18.72% e zgjedhësve të regjistruar, nga një total prej mbi 330 mijë qytetarësh me të drejtë vote.

Të dhënat tregojnë një pjesëmarrje të ulët në të gjitha bashkitë, me diferenca të ndjeshme mes tyre. Rekordin më të ulët e mban Vlora me vetëm 12.54% pjesëmarrje, e ndjekur nga Berati me 19.98%, Cërriku me 25% dhe Tepelena me 34.63%. Pjesëmarrjen më të lartë e ka shënuar Bashkia e Matit, ku deri në orën 18:00 kanë votuar 39.36% e zgjedhësve.

KQZ njofton se të dhënat janë ende jo përfundimtare, pasi një numër i konsiderueshëm qendrash votimi nuk kanë raportuar ende. Në total, rreth 30% e qendrave në pesë bashkitë nuk kanë dërguar informacionet e tyre. Konkretisht, 30 qendra në Vlorë, 20 në Berat, 10 në Cërrik, 8 në Tepelenë dhe 13 në Mat nuk kanë raportuar deri në përditësimin e fundit.

Procesi i votimit është mbyllur në orën 18:00, përveç rasteve kur në qendrat e votimit kishte radhë pritjeje. Në këto raste, në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është lejuar votimi deri në përfundimin e procesit për të gjithë qytetarët që ndodheshin brenda apo në ambientet përreth qendrave të votimit.

Rezultatet paraprake të votimit pritet të publikohen gjatë natës dhe ditës së nesërme, pasi të përfundojë procesi i numërimit të votave në çdo bashki.

 

Kandidatët: 

1- Bashkia Vlorë

Brunlida Mersini PS

 Dionis Sota i pavarur, mbështetet nga PD

Gjergji Nika i pavarur

2- Bashkia Berat

Ervin Ceca PS

Pavlo Shkarpa i pavarur, mbështetet nga PD

3-Bashkia Tepelenë

Gabriel Guma i pavarur, mbështetet nga PD

Gramoz Sako PS

4- Bashkia Mat

Altin Bojni PS

Eduard Brahilika i pavarur, mbështetet nga PD

Suzana Pasha e pavarur

5- Bashkia Cërrik

Florenc Doka PS

Eligert Hima Shqipëria Bëhet

Amarildo Hoxha i pavarur, mbështetet nga PD

 

Të fundit