Flash News

E-TJERA

Video/ Meta e Basha bashkohen te Yuri Kim, dalin pamjet nga darka me ish-ministrat e Jashtëm

Video/ Meta e Basha bashkohen te Yuri Kim, dalin pamjet nga darka me

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka mbledhur në një darkë të gjithë ish-ministrat e Jashtëm të vendit tonë që prej vitit 1991 në Shtëpinë Ryerson, në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike  midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Në pamjet e publikuara nga kjo darkë ra në sy se të pranishëm ishin presidenti aktual, Ilir Meta, por edhe ish-kreu i PD, Lulzim Basha.

Të pranishëm në takim ishin edhe ministrja e Jashtme aktuale Olta Xhaçka, si edhe ish-ministrat Ditmir Bushati, Tritan Shehu, Aldo Bumçi.

Nga darka ra në sy se diplomatja amerikane ka ulur krah saj kreun e shtetit, Ilir Meta si dhe ish ministrin socialist Ditmir Bushati.

Ndërkohë, Basha është ulur krah ish ministrit socialist Kastriot Islami, më pas ish-deputet i PD, si dhe ish ministrit të LSI-së, Edmond Haxhnasto, ndërsa në fotot zyrtare Basha shfaqet në fund të rreshtit, krah Bumçit dhe Haxhinastos.

Po ashtu, gjatë darkës shihet duke biseduar me ish-ministrat e PS si Bushatin, Xhaçkën, Daden.

Njoftimi i plotë i ambasadës:

Si pjesë e festimeve tona për 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, Ambasadorja Yuri Kim pati nderin të ftojë të gjithë Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë që prej vitit 1991, për një darkë të veçantë në Shtëpinë Ryerson.

Ambasadorja Kim shprehu vlerësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara për kontributet e dhëna nga secili prej Ministrave në zhvillimet dhe arritjet historike të Shqipërisë, përfshirë përparimin e tranzicionit nga komunizmi në demokraci, rrugëtimin e Shqipërisë në NATO dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, kryesimin e OSBE-së dhe sigurimin e një vendi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Mbi të gjitha, ajo falënderoi Ministrat për rolin e tyre në forcimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, duke kujtuar se të gjithë ata – diplomatë amerikanë dhe shqiptarë – kanë fatin që të mund të ndërtojnë mbi punën e paraardhësve dhe detyrimin për të hedhur bazat për pasardhësit e tyre.

Përgëzime për miqësinë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë! Gëzuar, edhe njëqind! Grupi ngriti gjithashtu edhe një dolli për të nderuar ata të cilët nuk mundën t'i bashkoheshin mbrëmjes, Muhamet Kapllani, Alfred Serreqi, Besnik Mustafaj dhe Gent Cakaj.

 

Të fundit