Flash News

E-TJERA

Vrasja e 48-vjeçarit në Tiranë, gjendet arma e krimit në automjetin e djegur

Vrasja e 48-vjeçarit në Tiranë, gjendet arma e krimit në

Policia ka arritur të zbulojë armën e dyshuar të përdorur në vrasjen e 48-vjeçarit Lulzim Visha, i cili u gjet i pajetë këtë mëngjes brenda një automjeti në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner. Sipas njoftimit zyrtar, arma u gjet në brendësi të një automjeti tip “Porsche”, i cili ishte djegur dhe u zbulua në zonën e Zall Herrit, pak pas mesditës së premtes.

Nga hetimet paraprake rezulton se targat e automjetit ishin të vjedhura në prill të vitit 2023 në Kamëz. Grupi hetimor po punon intensivisht për identifikimin e autorëve, zbardhjen e motiveve të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.

Burimet policore njoftojnë se viktima, banues në Kamëz dhe punonjës i një kompanie private poste, dyshohet se është vrarë për shkak të një hasmërie të vjetër. Para disa viteve, vëllai i tij, Besnik Visha, ishte i përfshirë në një vrasje që ka ndodhur pranë Universitetit Bujqësor. Kjo ngjarje mund të jetë e lidhur me motivin e krimit.

Një tjetër pistë që po hetohet lidhet me një konflikt të fundit që vëllezërit kanë pasur me disa persona në zonën e Zall Mnerit. Ngjarja e rëndë është denoncuar nga një banor i zonës, i cili ka njoftuar policinë rreth orës 7:40 të mëngjesit, kur trupi i pajetë i Vishës u gjet brenda automjetit të kompanisë ku ai punonte.

Hetimet janë në vijim dhe autoritetet bëjnë thirrje për çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje tragjike.

Të fundit