Flash News

E-TJERA

Vrau babë e bir në Elbasan, arrestohet në Greqi 41-vjeçari shqiptar; lidhja e tij me Çapjat dhe i penduari që e identifikoi si ekzekutor

Vrau babë e bir në Elbasan, arrestohet në Greqi 41-vjeçari

Arrestohet në Greqi Jorgo Leku alias Olsi Leka alias Giorgo Leku alias Jorgo Leku, 41 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Gjirokastër.

Olsi apo Jorgo Leka/ Leku njihet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i akuzuar për dy vrasje në Elbasan. Ndaj tij, Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për “Vrasjen e dy ose më shumë personave në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim, si dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Bëhet fjalë për vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqirit, babë e bir, në gusht të 2012. Gentian Beqiri ishte në “arrest shtëpie”, ku për pasojë u vra dhe babai i tij, ndërsa për këtë ngjarje dyshimet binin mbi familjen Çapja, për shkak se Beqiri mendohej të ishte autori i Sokol Capjas.

Jorgo Leku u identifikua si ekzekutor pas rrëfimit të E.B., një të penduari, i dënuar për vrasje. Përmes një njoftimi zyrtar policia e shtetit bën me dije se Leka u arrestua pas një bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës.

Njoftimi i plotë i policisë:

Vijon bashkëpunimi i suksesshëm me Interpol Tiranës dhe homologëve, për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore që janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Falë këtij bashkëpunimi dhe shkëmbimit të informacionit është kapur në Greqi, një tjetër i kërkuar për vrasje të dyfishtë.

Si rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, bazuar në shkëmbimin e informacionit të grumbulluar nga strukturat e Policisë së Shtetit, mbi vendndodhjen e mundshme të një personi të kërkuar për vrasje të dyfishtë, u bë i mundur arrestimi në Greqi i shtetasit shqiptar Jorgo Leku alias Olsi Leka alias Giorgo Lekou alias Jorgo Lekou, 41 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Gjirokastër.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, më datë 12.06.2020 i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për kryerjen e veprave penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e kryer në bashkëpunim dhe "Armëmbajtja pa leje".

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:

Më datë 15.08.2012, në lagjen "Çlirimi", Elbasan, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Aridan Meta alias Gentian Beqiri, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe të atin e tij Nezir Beqiri.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Athinën, vijon procedurat e mëtejshme për ekstradimin e këtij shtetasi drejt vendit tonë.

Të fundit