Flash News

E-TJERA

Vuçiç e Zaev mbërrijnë sot në Tiranë për "Open Balkan", Berisha thërret protestë kombëtare në orën 16.00

Vuçiç e Zaev mbërrijnë sot në Tiranë për

Sot në Tiranë do të mbërrijë presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev për takime dy-ditore  në kuadër të "Open Balkan".

Ky është takimi i radhës, ku pritet të bëhet nënshkrimi i 5 marrëveshjeve shtesë në kuadër të iniciativës për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. 

Zaev do të shoqërohet në këtë vizitë dhe nga disa ministra të kabinetit të tij, ndërsa Vuçiç do të ketë delegacionin përkatës.

Sipas axhendës së zbardhur një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama ka organizuar një darkë zyrtare në resortin e Gjergj Lucës në Elbasan. Në këtë darkë ai ka ftuar edhe përfaqësuesin e Këshillit Atlantik Jim O’Brien si dhe Alex Soros, drejtuesin e fondacionit Shoqëri e Hapur.

Teksa Rama do të darkojë me të ftuarit, në Tiranë do të zhvillohet protesta kundër vizitës së Vuçiçit. Tubimi u thirr nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe do të nisë në orën 16.00 te selia blu për të marshuar më pas drejt kryeministrisë.

Ndërsa nesër, Rama, Vuçiç dhe Zaev do të takohen në pallatin e Brigadave në orën 09:00. Takimit do t’i bashkohet dhe komisioneri për zgjerim Oliver Varhely online, drejtori i Ceftës Emir Djikic, si dhe Sekretarja e përgjithshme e Këshillit i Bashkëpunimit rajonal.

 

Të fundit