Flash News

E-TJERA

"Shkëmbyem hasmit", zbardhet dëshmia e të penduarit, Luftar Reçi: Lul Berisha më kërkoi të vras Klodian Saliun!

"Shkëmbyem hasmit", zbardhet dëshmia e të penduarit,
Në foto/ I penduari i drejtësisë, Luftar Reçi

Zbardhet dëshmia e të penduarit të drejtësisë Luftar Reçi, i cili hodhi dritë mbi dy vrasjet e bujshme, të Vajdin Lamajt dhe Klodjan Saliut, për të cilat SPAK akuzon si të përfshirë Emiljano Shullazin, Lul Berishën dhe bandat e tyre.

"Në fillim të shkurtit kam takuar në Tiranë Lul Berishën. Takimi u realizua ne vendin e quajtur stacioni i trenit ne Tiranë, vend ku unë kisha nje kazino timen.  Gjatë takimit Luli më ofroi një marrëveshje sipas së cilës unë duhej të vrisja shtetasin Klodian Saliu dhe ai në këmbim do të vriste hasmin tim.. Ata më thanë se  Klodian Saliu e kishte kundershtuar dhe kishin frike se mos i vriste", është shprehur Reçi.

Po ashtu, në dëshminë e tij Reçi tregon se si Lul Berisha i kërkoi Luftar Reçit, në shkurt të 2005-ës, që të gjejë kallëpe tritoli për vrasjen e Vajdin Lamajt, në ashensor në banesën e tij. Bombën siç tregon ai e ka përgatitur bashkë me Indrit Taullain, i cili i ka thënë se bomba duhej për të shpërthyer një makinë.

"Kam pasur lidhje shoqërore ne Lul Berishën, Indrit Taulla, Lenti (Plarent Dervishi). Berishën e kam njohur në 1994, ndërsa Plarent Dervishin dhe Indrit Taullain i kam njohur vonë sepse ishte njohje dhe miqësi e ngushtë e Lulëzim Berishës. Kujtoj se ka qenë muaji shkurti vitit 2005, besoj nga mesi i  muajit, më ka telefonuar nga numri i tij celular te numri im celular shtetasi Lulzim Berisha.

Luli më tha më gjej mua nga ato të "nëntat" (që ishin kallëpe tritoli) ku bëhej fjalë  për një atentat të përgatitur nga unë për hasmit e mi në Dibër, atentat i parealizuar nga unë për arsye se hasmi im mbante me vete fëmijët e tij dhe unë nuk lejova shpërthimin sepse nuk doja të vrsija fëmijët. Luli ishte në dijeni të kësaj ngjarje se më kishte treguar vetë dhe kishte mësuar nga unë se J... më kishte përgatitu minat për ngjarjen e Dibrës dhe për këtë arsye më kërkoi  një minë për veten e tij. Për të  përgatitur minat me telekomandë më ka ndihmuar nipi im që quhet.,.. i cili është vrarë në vitin 2002. Bombën me telekomandë që përgatitem ia dorëzuam Emiljano Shullazit ",  shton ai në dëshminë e tij.

Pas dorëzimit të bombës ndaj Emiljano Shullazit, Reçi shprehet se është informuar nga mediet për vrasjen e Vajdin Lame me shpërthim. Ai shprehet se menjëherë ka telefonuar Lul Berishën, i cili i ka thënë se ishte në Turqi dhe kjo ishte punë Indritit. Prandaj hetimi për këto vrasje është bashkuar në një të vetëm, sepse Lul Berisha dhe Emiljano Shullazi dhe bandat e tyre akuzohen se kanë bashkëpunuar për vrasjen Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit në ashensor në banesën e tij.

Ndërkaq ai ka treguar se Viktor Ymeri, i cili është një tjetër i arrestuar, ka thënë se për vrasjen e Vajdin Lamajt e ka gjetur ai njeriun nga burgu dhe jo banda e Emiljano Shullazit.

"Viktori më tha se edhe kur u vra Vajdini unë nga burgu i gjeta njeriun që e mbaroi punën e vrasjes  së Vajdinit se ata nuk ia kanë haberin dhe dinë vetëm me u hap bythësh (për bandën e SHullazit)", ka thënë ai.

Hetimet për këto dy ngjarje, të 26 dhe 27 shkurtit 2005, ishin pezulluar për moszbulim të autorëve, por më pas, pas dëshmisë së të penduarit është bërë e mundur zbardhja e vrasjes së Klodjan Saliut, Vajdin Lamajt, ku vdiq dhe miku i tij Artan Arsi. SPAK ka rifilluar hetimet dhe ka vendosur bashkimin e tyre në një procedim të vetëm. Ndërkohë Lul Berisha akuzohet gjithashtu dhe për vrasjen e Klodjan Saliut dhe Osman Truma.

Të fundit