Flash News

E-TJERA

Zhdukja e nënës me 3 fëmijët/ Arrestohet bashkëshorti, 9-vjeçarja u vetëmbyt pasi babai i dhunonte

Zhdukja e nënës me 3 fëmijët/ Arrestohet bashkëshorti,

Policia ka arrestuar Erdgys Arrazin, 31 vjeç, bashkëshorti i Alma Arrazit, 39 vjeç, dhe tre fëmijëve të zhdukur në Shkodër, njëri prej të cilëve u gjet i mbytur në lumin Buna me shenja dhune në fytyrë.

Sipas policisë, 9-vjeçarja e cila u gjet e pajetë në lumë dyshohet të jetë vetëmbytur për shkak të dhunës që babai i saj ushtronte ndaj familjes. Bashkë me të dyshohet se janë vetëmbytur edhe Alma Arrazi dhe dy fëmijët e tjerë, vajza 8 vjeçe dhe djali 3 vjeç.

Arrazi rezulton i dënuar më parë për kultivimin e lëndëve narkotike. Ishte 39-vjeçari që ka denoncuar zhdukjen e bashkëshortes dhe tre fëmijëve të tij.

Njoftimi:

Hetimet e thelluara zbardhin një rast të dhunës në familje, që shkaktoi vetëvrasje. Vihet në pranga 31-vjecari, për dhunë ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, si dhe për shkaktim të vetëvrasjes së vajzës së tij 9-vjeçare, si pasojë e dhunës.

9-vjeçarja është gjetur e pajetë, dyshohet e vetëmbytur në lumin Buna.

Polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet pasi dyshohet se janë vetëmbytur dhe bashkëshortja dhe 2 fëmijët e tjerë të 31-vjeçarit.

Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit E. A., 31 vjeç, të bërë më datë 03.05.2024, se më datë 02.05.2024, ishin larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39 vjeçe dhe 3 fëmijët e tyre të mitur (9, 8 dhe 3 vjeç), u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa.

Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje.

Më datë 04.05.2024, u bë ndalimi i shtetasit E. A., 31 vjeç (i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike), për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

Grupi hetimor ka vijuar hetimet dhe shërbimet e Policisë kanë  vijuar kontrollet për gjetjen e 39-vjeçares dhe 3 fëmijëve.

Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të shtetasve E. A. dhe A. A., e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj.

Policia e Shkodrës, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, vijon intensivisht punën për gjetjen e 3 shtetasve të tjerë të larguar nga banesa, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.

Të fundit