Flash News
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
Lejuan 37 ndërtime të paligjshme, dënohen dy kryeinspektorë dhe inspektorë të IMT në Bashkinë e Lushnjes
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Makina përplas për vdekje këmbësorin në Fier, shoqërohet shoferi 20-vjeçar
Miratohet raporti, Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës
E zgjodhën deputete dhe i besuan për Veliajn, Vasilika Hysi braktis banorët e Njësisë 7
Detyra kushtetuese e çdo deputeti është që të mbrojë dhe të përfaqësojë interesat e zgjedhësve të tij, por deputetja e PS, Vasilika Hysi, nuk po i qëndron këtij parimi.
Vasilika Hysi është zgjedhur deputete në vitet 2013 dhe 2017 në Njësinë nr.7 në Tiranë, apo siç njihet ndryshe ‘Unaza e Re’. Për të paktën dy mandate, banorët e kësaj zone i kanë besuar votën e tyre Hysit, por sot, kur ndodhen në momentin më të vështirë të jetës së tyre ata janë braktisur nga deputetja.
Banorët e ‘Unazës së Re’ janë njoftuar rreth dy javë më parë se duhet të largohen nga banesat pasi projekti i zgjerimit të rrugës parashikon shembjen e tyre. Shumë prej godinave janë përjashtuar papritur nga procesi i legalizimit dhe banorët rrezikojnë të jetojnë në qiell të hapur.
Bashkia e Tiranës dhe Qeveria i ka mbyllur çdo derë komunikimi këtyre njerëzve, ndërkohë që përfaqësuesja e pushtetit legjislativ po qëndron në heshtje. Politiko.al u përpoq disa herë të kontaktojë me deputeten Hysi, por ajo nuk iu përgjigj kërkesës sonë për të komentuar mbi këtë çështje.
“As deputetja e zonës nuk ka ardhur të na takojë”, u shpreh sot një grua e indinjuar, e cila theksoi se bashkë me burrin e saj 60 vjeçar nuk mund të nisin më një jetë nga fillimi, pasi në atë shtëpi kanë investuar gjithçka që kishin.
Në vitin 2015-të, Vasilika Hysi shkoi pranë këtyre shtëpive të palegalizuara dhe u kërkoi banorëve votën për Erion Veliaj, në mënyrë që ky i fundit të zgjidhej kryebashkiak i Tiranës. Po sot, kur banorët protestonin sërish te ‘Unaza e Re’, zonja Hysi qëndronte përballë kryebashkiakut Veliajt në qendër të kryeqytetit, teksa ai barazonte zgjedhësit e saj me nazistët gjermanë.
Edhe Avokati i Popullit ka reaguar për situatën e krijuar te “Unaza e Re”, duke kërkuar “që jo vetëm çdo veprim i cili cenon pronën e qytetarëve të kryhet në konsultim e në mirëkuptim me ta, por edhe institucionet përgjegjëse të ndërmarrin në çdo rast përpjekje për dialog me synim arritjen në një zgjidhje që nuk lë asnjë qytetar shqiptar të humbasë besimin tek institucionet tona dhe shteti ynë i përbashkët.”
E sigurtë është se në zgjedhjet e ardhshme lokale, Vasilika Hysi nuk do u trokasë sërish në derë këtyre banorëve për t’i kërkuar votën për Veliajn, jo vetëm sepse ata mund të mos i gjejë më aty, por sepse deputetja ka ndërruar pak muaj më parë zonën e saj elektorale, duke kaluar nga Njësia nr.7 në Njësinë nr.2 në kryeqytet.