Flash News

KRYESORE

Ed Jorgani

Ed Jorgani

Naum Mara

Nuk është faji im, nëse nga veshja me pizhame gjatë fushatës, Edi Rama më bën të mendoj se sa ka dalë nga nën jorgani. Ka një prirje të tij për të treguar se çdo gjë e ka të lehtë; edhe qeverisjen, edhe fushatën elektorale, edhe manipulimin e mediave, edhe “futjen në thes” të kundërshtarëve, edhe bërjen për vete të grave të moshuara.

Por, nëse për Edin, të bërit politikë është një gjë fare “tabako”, votimet, për shumicën dërrmuese të popullsisë janë një gjë tejet serioze.

Po kështu për shumicën e popullsisë të çdo vendi demokratik. Ndaj, edhe në botë, politikanëve edhe nëse ju duket e lehtë, e marrin seriozisht fushatën, vishen në mënyrë serioze, flasin me seriozitet dhe i lënë “batutat e kripura” për dreka e darka mes miqve dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Por, ka edhe diçka tjetër, që më bën të lidh Edin me jorganin. Nën një jorgan (elektoral) ka futur edhe ministrat e sukseshëm, edhe të korruptuarit, edhe bibat edhe patokët, edhe të panxënët edhe profesorët, mjaft të mos ja bëjnë fjalën dy.

Më tepër “kompleksi i jorganit” lidhet me të me kohën, kur për shkak të vështirësive  ekonomike nën Diktaturë, jorganët ishin të masave standarde dhe Edit, si shumë i gjatë, i mbeteshin këmbët gjithnjë jashtë jorganit.

I mësuar në adoleshencë dhe në rininë e hershme, që edhe po t’i shtrinte këmbët më shumë nuk e gjente gjë, Kryeministri ynë e zbatoi të kundërtën e parimit të njohur ekonomik në shpenzimet publike. Në katër vitet e tij, paratë u hodhën për lyerje, objekte pa funksione, palma, vijëzime, hedhje objektesh në erë, veliera betoni, kulla për të parë armikun dhe plot idera të tjera shterpo-artistike.

“Këmbët” u shtrinë ku e ku më gjatë: se sa mbulon jorgani- buxhet i shtetit dhe për këtë, sa më shumë afronin zgjedhjet, afatet e përurimit, u morën të tjera borxhe mbi borxhe.

Shqipëria, tani është me një “jorgan”, që i ngjan më shumë sutjenave, por nën hijen e palmave ama!

Në sajë të Ed Jorganit.

Të fundit