Edhe portalet kosovare kërcënohen me mbyllje; flet drejtori i ‘Insajder’: Rama po kopjon Korenë e Veriut; taksat i paguajmë në Kosovë

Në listën e publikuar sot nga AKEP ku kërkohej regjistrimi i 44 portaleve në Qendrën Kombëtare të Biznesit, janë përfshirë edhe disa portale nga Kosova, të cilat kërcënohen se do të mbyllen për 72 orë.

Portali hulumtues “Insajderi” ishte një prej faqeve kosovare të listuar nga AKEP, ndërkohë që për këtë vendim ka reaguar drejtori ekzekutiv, Parim Olluri, i cili thotë se sjellja e kryeministrit Edi Rama është e njëjtë me atë në Korenë e Veriut.

“Po habitem me deshirën e flaktë të Edi Ramës për ta kopjuar Korenë Veriore. Jashtëzakonisht i çuditshëm është vendimi i fundit lidhur me mediat. Agjencia e Komunikimeve Elektronike ka nxjerrë vendim që obligon të gjitha mediat për tu regjistruar si biznese në Shqipëri. Por, ky vendim duhet të jetë i vlefshëm vetëm për mediat atje. Jo edhe për mediat e Kosovës”, ka shkruar Olluri në profilin e tij në Facebook.

Olluri ka thënë se Insajderi është i regjistruar si biznes që operon dhe paguan taksa në Kosovë dhe se nuk ka nevojë që të bëjë të njejtën në Shqipëri.

“Kjo është normale. “The Guardian”, “New York Times”, “BBC”, “New Yorker”, nuk regjistrohen si biznese në çdo vend të botës, në të cilat lexohen.Ndoshta këtë ia ka kërkuar Koreja e Veriut. Por, nëse Rama i detyron mediat e njohura botërore për tu regjistruar si biznese dhe për të paguar taksa në Shqiperi, atëherë edhe unë e bëjë regjistrimin si biznes në Shqipëri. Edhe taksat ia paguaj Ramës”, ka shkruar Olluri.

‘Lajmi.net’ është një tjetër portal nga Kosova i përfshirë në listën e AKEP, së bashku me ‘ina-online.net’, portal shqiptar i regjistruar në Maqedoni.

Përgjigje e Politikos për Kryeministrin: Vendimi juaj nuk mund të dalë mbi vendimin e Gjykatës

Lista e AKEP, reagojnë drejtuesit e mediave ‘online’: Informacioni është i pakonfirmuar dhe çon në shpifje