Flash News

KRYESORE

Edhe shkollat do jepen me koncesion, zbardhet plani i Erion Veliajt

Edhe shkollat do jepen me koncesion, zbardhet plani i Erion Veliajt

Bashkia e Tiranës pritet të shqyrtojë në mbledhjen e radhës së ditës së mërkurë studimin e fizibilitetit dhe të kontratës “Tip” të partneritetit publik privat “Për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë e Tiranës”, ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe Partnerit privat.

Sipas relacionit, ky projekt synon zgjidhjen e problemeve të mbikapaciteteve përmes ndërtimit të 17 shkollave të reja, nga të cilat 10 do të jenë shkolla 9-vjeçare dhe 7 shkolla të mesme.

Aktualisht, sipas Bashkisë, në Tiranë gjenden gjithsej 191 shkolla publike. Nga llogaritjet e bëra rezulton se 61 shkolla kanë më shumë nxënës se sa kapaciteti i tyre maksimal dhe 57 shkolla e zhvillojnë mësimin me dy turne. Në total, në Bashkinë e Tiranës janë 14,292 nxënës mbi kapacitetin maksimal të infrastrukturës arsimore dhe 14,919 nxënës që e zhvillojnë mësimin gjatë turnit të dytë.

Sipas relacionit, me taksën e arsimit, që u vendos nga janari 2016, synohej që të ardhurat e siguruara nga kjo taksë do të përdoren vetëm me synimin për t´i dhënë fund mësimit me dy turne përmes ndërtimit të shkollave të reja.

Bashkia pohon se skema e koncesionit/partneriteti publik privat, ku shkollat e reja projektohen, financohen, ndërtohen dhe mirëmbahen nga koncensionari për një periudhë kohore 7-vjeçare, është teknikisht dhe ekonomikisht i realizueshëm dhe financiarisht i përshtatshëm.

Bazuar në relacionin e marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Punëve Publike, nr. prot. 21407/2, datë 09.08.2016, kostoja për ndërtimin e shkollave është 46,331.67 lekë/m², ndërsa për ndërtimin e kopshteve është 54,380.83 lekë/m². duke llogaritur gjithashtu edhe kostot e tjera të projektit, si kosto e mobilimit, kosto e mirëmbajtjes, studim projektimi, mbikëqyrja e punimeve, kolaudimi, oponenca teknike, mbrojtja ndaj zjarrit dhe leja mjedisore.

Në total, kosto direkte e investimit për ndërtimin e 17 shkollave të reja është përllogaritur 5,406,768,353 lekë. Pas 7 vjetësh, në përfundim të kontratës, së bashku me koston e mirëmbajtjes, kosto totale e skemës së koncesionit/partneritetit publik privat do të jetë 7,997,517,960 lekë, thuhet në relacion.

Këstet vjetore që do t’i paguhen koncesionarit do të mbulohen nga të ardhurat nga Taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore dhe transferta e kushtëzuar nga Ministria e Financave. (Monitor)

Të fundit