Flash News

KRYESORE

Edhe Veliaj si Rama, do u japë bizneseve pronat e bashkisë sipas modelit ‘PPP’

Edhe Veliaj si Rama, do u japë bizneseve pronat e bashkisë sipas

Bashkia Tiranë do t’i japë pronat e saj për zhvillim bizneseve private, sipas modelit të partneritetit publik privat. Nëpërmjet këtij modeli të zhvillimit të pronave të saj, bashkia thotë se synon që të përfitojë sipërfaqe ndërtimore, për programe sociale dhe ambiente për nevojat e saj. Në mbledhjen e saj të ardhshme, bashkia pritet të shqyrtojë vendimin “Për përcaktimin e procedurës dhe negocimin me zhvilluesit privatë që shprehin interesin që të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës nëpërmjet marrëveshjeje të sipërmarrjes/shkëmbimit për pronat në pronësi të saj”.

Modeli është i ngjashëm me marrëdhëniet mes individëve dhe ndërtuesve, ku individët që japin për zhvillim pronat e tyre marrin në këmbim një pjesë të sipërfaqes së ndërtuar, që pritet të luhatet midis 35-50%. Në vendim thuhet se sipërfaqja takuese ndërtimore që do të përfitohet nga Bashkia e Tiranes, në çdo rast duhet t’i referohet përqindjes më të lartë të kontratave të lidhura në zonën perreth, por në çdo rast kjo përqindje nuk mund të jetë me pak se 35 % e sipërfaqes ndërtimore për pjesën takuese që Bashkia Tirane ka vendosur në dispozicion të zhvilluesit privat. Në rast  se prona në pronësi të  Bashkisë Tirane është godinë,  ateherë Bashkia  duhet të përfitojë si rregull të njëjtën sipërfaqe  ndërtimore, e cila do  t’i  vendoset në  dispozicion  të zhvilluesit privat,  por në asnje rast  jo me pak se 50 % te siperfaqes, në ato raste kur godina është në gjendje të amortizuar.

Sipas relacionit, që shoqëron këtë vendim, “Struktura urbane e qytetit trashëgon pronësi të tipologjisë urbane historike, të përbërë nga shtëpiza individuale dhe të bashkëlidhura, të vendosura në parcela të çrregullta, të vogla dhe me shumë rrugica aksesi dhe kalimesh këmbësorësh me pronësi publike. Mospërfshirja e parcelave publike të këtij tipi dhe të ngjashme, në zhvillim vështirëson projektimin urban si dhe cënon zhvillimin e një gjuhe urbane të rregullt, nëpërmjet të cilës të mund të projektohen hapësira publike dhe rekreative të domosdoshme për komunitetin. Në kontekstin e planifikimit dhe projektimit është një kusht i domosdoshëm zhvillimi i parcelave publike për transformimin e kryeqytetit në një qytet cilësor dhe të qëndrueshëm bashkëkohor. Në vijim të këtij nocioni, si dhe zhvillimit të koncepteve të planifikimit në të cilat Tirana po avancon, Drejtoria e Planifikimit të Territorit aktualisht i rezervon të drejtat e zhvillimit të parcelave me pronësi publike në strategjitë e detajuara të planifikimit, te cilat nuk kanë arritur të përdoren dhe as të përmirësojnë projektimin urban pasi deri më tani nuk janë përfshirë në zhvillim në politikat e rizhvillimit nëpërmjet bashkëpunimeve privat-publik”. (Monitor)

Të fundit