Edi, fëmija me Shqipërinë e humbur…në vitin 2030

Alfred Lela

Kryeministri e ka gjetur sloganin e ri për fushatën elektorale të radhës Shqipëria e vitit 2030. Stilema dhe deliri i saj projektojnë të pamundurën ose bërjen e saj të mundur (nothing is impossible): Rama dhe PS, jo vetëm do të marrin mandatin e tretë (2021-2025), por do të synojnë të katërtin (2025-2029).

Nën premisat e komunikimit politik, kryetari i PS bën gjënë e duhur, duke mos u mjaftuar me të mundurën dhe të afërmen, por duke u shtrirë drejt së ardhmes së (pa)mundur (impossible is nothing).

Megjithatë, as politika dhe as komunikimi mbi të, nuk është se i shkojnë paralel reales; ato mund t’i mbivendosen, jo duke u rivalizuar, por duke u përplotësuar, për të krijuar një realitet politik ose shoqëror, i cili në fjalorin e ditës ka filluar të njihet si frymë.

Ajo që nuk shkon në ligjërimin e ri dhe të rishpikur të Ramës, është se Shqipëria duket e humbur në proces. Në mos territori, atdheu apo dheu i ushtrimit politik të Ramës, kundërshtarëve dhe banorëve të tij, shqiptarëve, të paktën raporti i kryeministrit dy-mandatësh me të.

Rama nuk mund të na propozojë, përmes një abrakadabre post-pandemike, ‘Shqipërinë e vitit 2030’ pa na folur për premtim/propozimet e Ramës shef opozite gjatë fushatës së vitit 2013, dhe më pas realizimet e tij si shef qeverie. Me çfarë do ta mbushim boshin mes viteve të largëta 2013-2030? A na mjafton, për shembull, Rilindja dhe rikonceptimet e atdheut prej saj? Nëse jemi më mirë sot se në vitin 2013, kush është më mire? sa më mire? dhe pse?

Rama e di këtë, e njeh territorin e humbur të PS në Rilindje dhe propozon një Shqipëri të largët, duke mbetur sërish në fiksion, në samifrashëriadën e një Shqipërie të ç’ka qenë; ç’është e ç’do të bëhet.

Sekreti i së ardhmes së një premtimi për një politikan të së shkuarës qëndron…epo, pikërisht te e tashmja. Cilat janë ballafaqimet e Ramës në të tashmen me premtimet e tij të së shkuarës? Nuk mundemi asesi të hapim sytë kah 2030, që është 10 vjet larg, kur pothuaj nga e njëjta distancë, 7 vjet, mundemi të hulumtojmë të shkuarën për të gjykuar të tashmen.

Pasë ditur këtë mund të thuhet lehtësisht se z. Rama i ka humbur Shqipëria. Krejt ndryshe nga fëmijëve të tjerë, që sistematikisht numërojnë gjëra të humbura në të shkuarën, djaloshit tonë, Verterit në të pesëdhjetat, i ka humbur Shqipëria në të ardhmen.

Në të ardhmen mund të projektohet gjithçka, por asgjë e së shkuarës e emëtuar si manipulim (premtim i pambajtur, rrenë e pastër, sofizëm elektoral) nuk shfaqet aty as e rilindur, as e rimishëruar. E ripagëzuar po. Dmth një gënjeshtër e veshur tebdil si ‘Shqipëria 2030’.

Por ne kemi origjinalin 2013-2021. Rama të na flasë për të, jo për dokrra hinit.