Editoriali në ‘Corriere Della Sera’: Italia influencë vetëm në Shqipëri, kudo tjetër ka rënë

Gazetari Ernesto Galli della Loggia ka publikuar një editorial në prestigjozen ‘Corriere Della Sera’ ku flet për rënien e Italisë si fuqi dhe dominimin e Gjermanisë që fshihet pas aleancës franko-gjermane. Ai analizon gjeopolitikën e Romës, e cila sipas tij nuk ka asnjë rol në botë apo në Bashkimin Europian, kjo pasi skema ku italianët mbështeteshin te një fuqi dominuese apo loja me një sistem përfshirës, është në fundin e saj.

Della Loggia thekson se Italia “në Ballkan vlen diçka vetëm për Shqipërinë, ndërsa në pjesën tjetër të rajonit, ku pas vitit 1989 kërkoi të kishte ndonjë ndikim, ruli shtypës i ekonomisë dhe politikës gjermane thuajse e nxori jashtë”.

Në të njëjtën situatë Roma ndodhet edhe në konfliktet në Siri, Ukrainë dhe Irak, si dhe në raportet e Europës me Turqinë. Gazetari përmend edhe faktin se italianët nuk mund të ndikojnë as në shtetin e vogël të Maltës, pavarësia e të cilës garantohet nga një traktat i firmosur edhe nga Roma.

Në fund, ai sjell një shembull që tregon qartë rënien e Italisë: “Këto ditë u mbajt në Farnesina takimi periodik i përfaqësuesve tanë diplomatik jashtë vendit. Mund të mendohet se ishte një mundësi e mirë për të folur me sinqeritetin e duhur për ndonjë nga mijëra problemet e përmendura në këto rreshta dhe për të diskutuar ndonjë linjë të mundshme veprimi. Mirë pra, doni të dini se kush e drejtonte takimin? Ministri ynë i Jashtëm, natyrisht dhe me të edhe presidenti ynë, por në krah të tyre, të ftuar nderi, ishin ministrat e Jashtëm të Francës dhe Spanjës. A mund të imagjinohet diçka të ngjashme në Paris apo në Madrid?”