Efektivët sulmohen nga tre emigrantë, në Gjermani reagime të ashpra kundër policisë: Jeni të butë dhe joprofesionistë

Në Gjermani ka nisur një revoltë e ashpër ndaj policisë pas shpërndarjes në rrjetet sociale të një video që tregon se si dy efektivë sulmohen nga tre emigrantë.

Ngjarja ka ndodhur në Plauen kur një patrullë policie kishte pikasur shtetasin libian, 23 vjeç, i cili kërkohej për ngacmim seksual. 23 vjeçari nuk i ishte përgjigjur thirrjes së gjykatës për të qenë i pranishëm në seancë dhe policia ishte e detyruar ta shoqëronte me forcë, ndërkohë që rezistenca ka ardhur nga miqtë e tij.

Fillimisht ishte një shtetas maqedonas, 38 vjeç, i cili ka debatuar me efektivët dhe po filmonte momentin kur libiani hyri në makinën e policisë. Pavarësisht thirrjes së efektivit që të largohej, maqedonasi ka vijuar debatin. Ajo që tensionoi më shumë situatën ishte përpjekja e policit për t’i marrë emigrantit telefonin nga dora. Ata janë përleshur fizikisht me njëri-tjetrin dhe në konflikt u përfshinë gjithashtu shtetasi libian dhe një 16 vjeçar nga Kroacia.

Situata u vendos në kontroll vetëm pasi në vendngjarje mbërritën patrulla të tjera të policisë.

Por publikimi i kësaj video ka shkaktuar zemërim te shumë gjermanë, të cilët e konsiderojnë sjelljen e efektivëve si shumë të butë dhe joprofesionale. Ata denoncojnë tre emigrantët për kundërshtimin që i bënë urdhrit të policëve që vepronin në bazë të kërkesës së gjykatës.