Flash News

KRYESORE

"Ejani në fshat" dhe parabola e mbretit lakuriq

"Ejani në fshat" dhe parabola e mbretit lakuriq

Jonila Godole

 

Fjalimi i Gerta Lokut, një gruaje të re nga Mirdita në parlamentin shqiptar me titullin e thjeshtë "Ejani në fshat!" është përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale, duke u etiketuar nga si një ndër fjalimet më emocionuese, më të sinqertë dhe më të drejtperdrejtë nga foltorja e parlamentit.

Duke e dëgjuar fjalimin e saj, mu kujtua përralla e „Rrobave të reja të Mbretit“, një parabolë e shkëlqyer nga Hans Christian Andersen. Të gjithë e shohin mbretin lakuriq, por askush nuk guxon t'ia thotë hapur, përkundrazi e urojnë për rrobat e bukura që gjasme ka veshur. Një situatë sa qesharake, aq edhe delikate. Këshilltaret e mbretit e shohin që mbreti është lakuriq, por nuk duan ta besojnë – si mund të kesh dyshim për shijen dhe veprimet e mbretit?! Nga ana tjetër nuk duan të duken budallenj sepse dy rrobaqepësit (mashtrues) thonë se magjia e stofrave qëndron në faktin se ato shfaqen të padukshme për këdo që nuk e meriton postin ose është budalla! Duke ndjekur këtë logjikë, ministrat e mbretit e përforcojnë edhe më të voglin dyshim që ai vetë mund të kishte, duke e lënë të dalë para popullit krejt lakuriq. Skena e pashembullt ndërpritet vetëm nga fëmija që tregon me gisht mbretin pa rroba, dhe pas tij dikur reagon edhe populli i mbledhur në shesh që më parë ka heshtur.

Zëri i Gerta Lokut ishte pikërisht si tregimi me gisht i fëmijës në përrallë. Ajo nuk tha asgjë që ne të tjerët nuk e dimë dhe nuk e mendojmë, por ajo shprehu atë që ne nuk kemi guxim ta themi gjithmonë publikisht nga frika se zëri jonë është pa pushtet, se mund të dukemi qesharakë në sytë e pushtetarëve, se grupet e interesit mund të na pengojnë dhe ndërhyjnë në bukën tonë të përditshme, etj, etj. Gerta është një vajzë e studiuar, nga artikulimi u duk po aq, madje më shumë e arsimuar sa një pjesë e parlamentit tonë, por mbi të gjitha ajo ka guximin t’i thotë hapur mbretit që nuk ka rroba!

Parabola e Andersenit e nxjerr njeriun të zhveshur, qoftë si individ, qoftë si kolektiv. Njerëzit kanë natyrisht frikë nga vlerësimet e të tjerëve, frikë që të duken jo kompetentë në sytë e të tjerëve, sidomos të mbretit dhe shpurës së tij. Por kur ata heshtin në grup, nuk ndërhyjnë dhe mbyllin sytë para një realiteti dhe një situate ekzistuese, atëherë kemi të bëjmë me një injorim pluralist kolektiv. Sa më gjithëpërfshirëse të jetë shoqëria në këtë heshtje, dhe sa më shumë të ndahet përgjegjësia mes individëve, aq më jetim do mbetet faji. Në përrallën e Andersenit, dy rrobaqepësit e maksimizojnë triumfin e tyre për shkak të statusit që kanë si mjeshtra të zanatit. Ekspertëve të fushës iu besohet më lehtë! Kur ata ia dalin të fusin në rrjetën e tyre edhe Mbretin me gjithë këshilltarë dhe ministra, influenca mbi popullin e thjeshtë bëhet mbizotëruese. Ndërsa ne sillemi si ministrat e Mbretit, Gerta Loku ka kurajon shoqërore të ngjitet në parlament, të mbajë një fjalim thellësisht politik, në mes të një mjedisi politik që faktin e sheh me teleskop.

Mbi të gjitha fjala e gruas së re nga Mirdita në parlamentin shqiptar peshoi rëndë edhe për një arsye tjetër. Ajo nuk i ngjante qarjeve dhe ankimeve të përhershme që politikanëve (mbretër) u dëgjojnë veshët përditë nga zgjedhësit e tyre. Gerta Loku skicoi me dinjitet punën e palodhshme dhe vetmohuese të fshatarëve dhe fermerëve në zonën e saj si të fliste për gjithë të tjerët si ajo, anembanë vendit. Çfarë ata kërkojnë, rrugë dhe ujë, është A-ja e një politike bujqësore që për një shtet si Shqipëria duhet të ishte thelbësore, dhe në këtë pikë politika i ka lënë ata 27 vjet në baltë. Pa mbajtur asnjë anë politike ("Ne atje në fshat punojmë me dorën dhe këmbën e djathtë, zemra na rreh majtas, trurin e kemi në qendër e nëse duam të bëjmë mirë atë që duam të bëjmë, e nëse ky parlament do të bëjë mirë atë për të cilën është zgjedhur të bëjë, duhet që secili prej këtyre organeve të bëjë funksionin që i përket...") Gerta Loku i hedh dorashkën propagandës politike se gjoja Shqipëria qenkej shembull i zhvillimit turistik dhe rural në Ballkan. Nuk është ajo që ka nevojë për viston e parlamentit, por ky i fundit ka nevojë për zërin e saj të sinqertë që të mos humbasë legjitimitetin, kur së shpejti të tjerë zëra të ngrihen dhe të thonë hapur e pa frikë: "Mbreti dhe shpura e tij janë lakuriq!"

Të fundit