Flash News

KRYESORE

Ekipi i Nantes tërheq numrin 9 që mbante Emiliano Sala

Ekipi i Nantes tërheq numrin 9 që mbante Emiliano Sala

Pas identifikimit të trupit të sulmuesit Emiliano Sala, i cili humbi jetën në aksidentin fatal me avion në Kanalin e La Manshit, ekipi i Nantes ka vendosur të tërheqë fanelën me numrin 9, të cilën e mbante futbollisti.

Lajmin e bëri të ditur klubi me anë të një postimi në faqen zyrtare dhe në rrjetet sociale.

“Sepse Emiliano Sala do të jetë gjithmonë pjesë e legjendave që kanë shkruajtur historinë e madhe të FC Nantes. Tërheqim numrin 9, që ai ka mbajtur në fanelën e tij”, shkruhet në njoftimin e klubit francez.

Ky vendim vjen menjëherë pasi policia e Dorset identifikoi trupin e gjetur në rrënojat e avionit të nxjerrë nga fundi i detit në ngushticën e La Manshit.

Avioni i Emiliano Sala në të cilin ndodhej vetëm sulmuesi dhe piloti, u zhduk nga radarët mbrëmjen e 21 janarit, pikërisht mbi kanalin e La Manshit.

Kërkimet për futbollistin vijuan prej ditësh, për t’u pezulluar më pas nga autoritetet britanike, ndërkohë që familjarët i vijuan ato.

Në kërkimet për gjetjen e avionit dhanë kontributin e tyre 4.500 persona, mes të cilëve kishte edhe një sërë futbollistësh me emër, duke grumbulluar në total 300 mijë euro.

Emiliano Sala la skuadrën e Nantës për të shkuar te Cardiff City, me klubin uellsian që pagoi 17 milionë euro për kartonin e tij.

Të fundit