Flash News

OP-ED

Ekonomia e Shqipërisë me kreativitetin e Kongos

Ekonomia e Shqipërisë me kreativitetin e Kongos

Igli Tola

Në programet tona qeverisëse për zhvillimin e ekonomisë deklarohet thjesht se rritja e qëndrueshme do të mundësohet përmes gjetjes së 'burimeve të reja që ushqejnë rritjen ekonomike'. E si burime shihen sektorë si: manifaktura (fasoneria), energjia, turizmi, bujqësia e shërbimet.   

Ama në kushtet e një ekonomie globale, ku thuajse asnjë ditë nuk kalon pa lajmërimin e një zhvillimi të ri madhor në inteligjencë artificiale, bioteknologji, nanoteknologji, dixhitalizim apo automatizim; 'stoicizmi' i këtyre sektorëve që edhe pa i analizuar thellë flasin vetvetiu për nivelin 'primitiv' të ekonomisë sonë, na bëjnë të kuptojmë se të vetmet objeksione tonat në nivel makro janë ulja e normës së papunësisë dhe sigurimi i mbijetesës, pa treguar interes për krijimin e vlerës së shtuar. 

Ndërkohë që bota së paku që prej fillimit të shekullit të kaluar mendonte dhe punonte për një 'kurs' të ri ekonomik. 

Joseph Schumpeter në 1912 publikoi librin “Teoria e zhvillimit ekonomik”, ku pretendonte se kishte gjetur zgjidhjen për këtë 'rend' të ri. Përgjigjia e tij ishte shumë e thjeshtë: inovacioni. Ajo çfarë ndodh kur kemi një inovacion në gjendje ekuilibri është që një pjesë e resurseve largohet nga qarkullimi qarkor i të ardhurave për t’u kombinuar në një mënyrë të re. Ky kombinim i ri i resurseve në mënyrë që të jetë ekonomikisht i arsyeshëm duhet të jetë me efiçient se ai i vjetri. Gjë që konkludon në një produkt/shërbim të ri, i cili përmbush nevojat më shumë se ai i vjetri, apo në një teknikë më të sofistikuar për menaxhim. 

Ky përdorim më efiçent, na siguron edhe zhvillim ekonomik, pasi produkti i ri kërkon më pak resurse dhe ato resurse që janë liruar mund të përdoren për tjera aktivitete ekonomike.   

Gjithë këtë deduksion ekonomik mund ta ilustrojmë me shembullin e Nokia-s që vetëm disa vite më parë ishte kompania lider në prodhimin e aparatëve telefonikë, por gjithçka ndryshoi kur Apple filloi prodhimin e iPhone. Në tregun qindra bilion dollarësh të pajisjeve elektronike, Nokia ndodhi që u 'ngrys' kryesues, por u 'gdhi' e falimentuar, vetëm se humbi hapin e inovacionit. 

Të njëjtën gjë mund të themi edhe për kombet: disa janë më të pasur sepse janë më inovativë, ndërsa të tjerët janë më të varfër se janë më pak apo aspak. ShBA-të, sidomos përmes Luginës së Silikonit (Silicon Valley), i japin shumë produkte të reja tregut botëror prej të cilave mbledh profitet e monopolit, ndërsa Kongo tregut të botës i jep vetëm xehe të papërpunuara, të cilat ballafaqohen me konkurrencën e ashpër nga e gjithë bota.   

Përveç të ashtuquajturës 'rentë të monopolit', që nuk është gjë tjetër veçse fakti që inovacioni na mundëson që të kemi në treg për një kohë të caktuar një produkt unik, të pashqetësuar nga konkurrenca dhe duke mos u diktuar nga çmimi i tregut, por duke qenë çmim përcaktues. Kjo e bën inovacionin të ketë tendencë të shkojë krah për krah edhe me rritjen e kthimit në shkallë. Kjo sidomos kur ai është i aftë të krijojë një fushë të re. 

Për të sqaruar këtë argument i rikthehemi shembullit të mësipërm të iPhone, mqs është një produkt që njihet dhe përdoret masivisht, gjë që e bën analogjinë më të kuptueshme. iPhone i parë i Apple nuk ishte aq i sofistikuar (për standardin tonë aktual) dhe ishte i rrallë, por sa më shumë iPhone që prodhoheshin aq më shumë sofistikohej e aq më shumë konsumatorë kishin mundësi ta posedonin. Kjo ndodh për shkak se me rritjen e prodhimit, kompania kishte shfrytëzuar ekonominë e shkallës, ku kostoja fikse ndahet në më shumë njësi produktesh, dhe kësisoj kostoja mesatare e produktit bie vetiu. 

Përveç ekonomisë së shkallës, kompania gjithashtu mësoi më shumë rreth produktit dhe e sofistikoi atë më tej. Sa më shumë që kompania prodhon, aq më shumë mëson, dhe aq më shumë e sofistikon produktin. Madje, mësimet dhe eksperiencat e fituara nuk limitohen vetëm në kompaninë e cila kishte lançuar atë produkt herën e parë, por ajo ka tendencë të shpërndahet gjithandej. Nga inspirimi i iPhone-it u krijuan Samsung Galaxy, e prej platformës Android – sistemi operativ i Galaxy – u stimuluan aplikacionet për telefona të mençur, e kështu me radhë. Pra një zhvillim, një inovacion, çon më pas edhe zhvillime tjera. Kësisoj kemi rritje të kthimit në shkallë.   

Edhe studimet e realizuara në lidhje me këtë temë japin të njëjtat rezultate. Shifrat e ofruara nga raporti i fundit i Institutit MCKinsey Global pohon se dy sektorët  që kanë përjetuar rritjen më të shpejtë që nga 2005 janë TIK (Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit) dhe industritë e medias, duke zënë jo më pak se 10 për qind të PBB-së. Fusha këto ku inovacioni dhe kreativiteti janë vitalë dhe të domosdoshëm.

… 

Nga gjithë çfarë përmendëm dhe analizuam më sipër nuk ka shumë dyshime se me kë ngjajmë më së shumti: me ShBA apo Kongo, Nokia apo iPhone. Me gati 150 mijë biznese që operojnë në vendin tonë, dukshëm më të suksesshmit janë ata që merren ose përfshihen në tendera, PPP apo konçensione. Lulëzon industria e ndërtimit që i vetmi 'novacion' që mund të ofrojë është shumëfishimi i kostove për kilometër rrugë apo çmime për metër katror banimi më të larta se në Londër e Zyrih. 'Shkëlqejnë' konçensionarët e pasurive dhe shërbimeve publike që nga ana tjetër inovacione konsiderojnë teknikat e reja që 'shpikin' për t’i 'kopsitur' letrat për të mbuluar shkeljet flagrante apo ligjet private që 'porosisin' në Parlament, duke e bërë këtë institucion të duket si 'fast-food' ku porosit sullfaqe me/pa majonezë, ketchup e ku bën teka për ta thekur mirë piten.

Të fundit