Flash News

KRYESORE

Ekskluzive/ Frontex merr nën kontroll kufijtë: Kërkesë e autoriteteve shqiptare

Ekskluzive/ Frontex merr nën kontroll kufijtë: Kërkesë e

Nga Liridon Cecja

Agjencia Evropiane e Ruajtjes së Kufijve dhe Bregdetit, Frontex, prej dy javesh ka nisur ne Shqipëri kontrollin e kufirit për të parandaluar kalimet e pa autorizuara, emigracionin e paligjshëm dhe krimin ndërkufitar. Mbi 50 oficerë dhe 16 automjete patrulluese janë dislokuar në kufirin Shqipëri – Greqi, duke e bërë kështu vendin tonë të parin shtet jashtë Bashkimit Europian, që ‘dorëzon’ kufijte tokësorë.

Në një prononcim për Politiko.al, zëdhëndësja e Frontex, Izabella Cooper në emër të Drejtorit Ekzekutiv, Fabrice Leggeri nuk pranon se vendimi nënkupton mungesën e besimit të autoritetet shqiptare. “Në ditët në vijim, Frontex do të finalizojë një marëveshje me Maqedoninë e Veriut, kështu që me gjase ata do të jenë vendi i dytë jashtë Bashkimit Europian që pranon të ‘strehojë’ operacionin tonë”, sqaron ajo.

Autoritetet shqiptare kanë argumentuar se qëllimi i ardhjes së Frontex, do të jetë parandalimi i emigrantëve të paligjshëm. Më këtë argument mbrohet edhe zyrtarja e kësaj agjencie.

“Siç e dini, kufiri tokësor grek me Shqipërinë ka qenë prej kohësh i prekur nga migrimi i parregullt, deri tani - këtë vit, nga autoritetet shqiptare në kufirin me Greqinë janë raportuar rreth 800 kalime kufitare të parregullta. Shumica e emigrantëve erdhën nga Siria, Pakistani dhe Iraku - të cilët erdhën nga Turqia nëpërmjet Greqisë”.

Sipas saj, zbarkimi i 50 oficerëve është dakordësuar me autoritetet shqiptare ndërkohë që nuk përjashton shtimin e tyre në muajit e ardhshëm, në varësi të situatës, fakt qe nuk eshte permendur deri tani nga Ministria e Brendshme.

“Numri i oficerëve, specializimi i tyre dhe lloji i pajisjeve teknike që vendosim gjithmonë bazohet në analizën e rrezikut dhe në kapacitetin e autoriteteve kombëtare me të cilët planifikojmë këto operacione. Por, siç thashë, synimi është gjithmonë të shtohet në kapacitetin ekzistues të mbikëqyrjes së kufijve të vendeve individuale me të cilat bashkëpunojmë, jo për t'i zëvendësuar ato”, përfundon Izabella Cooper.

Frontex, gjithashtu planifikon aktivitete trajnuese për të zhvilluar kapacitetet e kontrollit të kufijve nëpërmjet shkëmbimit të informacioneve operacionale, përvojave profesionale dhe praktikave më të mira.

Politiko.al

Të fundit