Flash News

KRYESORE

Ekskluzive/ 'Peshk i madh' apo peshkaqen? Brenda dy ditësh arrestohet Adriatik Llalla

Ekskluzive/ 'Peshk i madh' apo peshkaqen? Brenda dy ditësh

Politiko.al ka mësuar nga burime të sigurta se për ish-kryeprokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, janë gati 'letrat' e arrestit. Një dosje e përqendruar më së shumti te dy akuza, të qarkulluara ndërkohë në media, kryesisht nga 'linja amerikane', 'korrupsion' dhe 'pastrim parash', është bërë gati nga prokurorët. Të njëtat burime të rezervuara thonë se pritet ndalimi në ditët në vijim. Gjasat janë që të hënën ose të martën, njeriu që e drejtoi organin e akuzës për 5 vjet, ta shohë veten në anën e kundërt të ligjit me kolegët e tij. Me kërkesën e Prokurorisë, e cila bën ndalim dhe arrest në flagrancë, gjykata vendos për urdhër arrestin.

Shqetësimi i vetëm mbetet dyshimi se Llalla është 'informuar' dhe është larguar nga Shqipëria për t'iu shmangur arrestimit të pritshëm, gjë që do ta fuste atë në listën e të kërkuarve.

Arrestimi i Adriatik Llallës do të jetë i pari i një 'peshku të madh', nje term i futur në përdorim për herë të parë nga Ambasadori amerikan, Donald Lu, në fund të vitit të shkuar. Diplomati amerikan pati përmendur janarin si muajin e kapjes së 'peshqve të mëdhenj', por me sa duket, ish-kryeprokurori do të ballafaqohet me fletën e akullt të arrestit në muajin e ngrohtë të prillit.

Adriatik Llalla është në 'syrin e ciklonit' qyshkur Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, e shpalli 'persona non  grata', duke e kthyer në precedent në historinë e Departamentit të Shtetit, pas një klauzole 'turpërimi' (të quajtur 'name and shame'), që ishte në fuqi me vendim të Kongresit që në vitin 2007.

Llalla u kundërpërgjigj në një deklaratë pë gazetën Wall Street Journal, duke thënë se bëhej fjalë për dizinformim të Sekretarit nga Ambasadori Lu me të cilin kishte pasur më parë përplasje të ashpra. Lu e pat konsideruar hapur Kryeprokurorin si pengues të Reformës në Drejtësi.

Vetëm pak ditë më parë u publikua një raport i gjatë prej 18 faqesh, të cilin Kryeprokurori në detyrë Llala i dërgonte para një viti kongresmenit amerikan Dana Rochrebacher. Ky i fundit ia paraqiti nënkomitetit të Europës dhe Euroazisë, gjatë një seance dëgjimore për çështje të Ballkanit në Kongres, ku ishte i ftuar si raportues edhe Hoyt Brian Yee, asokohe nënsekretar për Eurozianë në DASh. Në atë raport Llalla pretendonte se Ambasadori Lu i kishte kërkuar arrestimin e, asokohe kryeparlamentarit Meta.

Raporti hapi rrethin e një tjetër minicikloni në Tiranë. Lu i mohoi pretendimet e ish-kryeprokurorit duke e quajtur si dikë të dyshuar nga drejtësia. Ambasadori amerikan takoi edhe Presidentin e Republikës, Meta, emri i të cilit lakohej në raportin e Lallës.

Prej nesër ose pasnesër, z. Llalla është i lirë që të gjitha pretendimet dhe akuzat t'ia shërbejë drejtësisë, një degë të madhe të së cilës ai e drejtoi për pesë vjet.

Të fundit