Flash News

KRYESORE

Eksperti PD: Nëse zgjidhet ngërçi për përzgjedhjen e KQZ-së, ‘Reforma’ mbyllet këtë javë

Eksperti PD: Nëse zgjidhet ngërçi për përzgjedhjen e

Debati për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të KQZ-së pritet të mbledhë sërish këtë javë anëtarët e Këshillit Politik.

Eksperti i PD-së në tryezën e Reformës zgjedhore, Ivi Kaso në një intervistë për gazetën “Panorama” thotë se Opozita ka depozituar propozimin e saj në tryezë për formulën e përzgjedhjes së KQZ-së, e cila plotëson edhe pretendimin e maxhorancës për ta përqendruar procesin në Kuvend, por garanton edhe pjesëmarrjen e opozitës në proces. “Formula jonë e re adreson kërkesën e PS-së, e cila refuzoi përfshirjen e Avokatit të Popullit, siç ndodh për organet e drejtësisë, duke këmbëngulur që procesi të zhvillohej brenda Parlamentit.

Formulimi ynë i ri e risjell procesin brenda Parlamentit, por njëkohësisht garanton rolin dhe prezencën e opozitës në procesin përzgjedhës të kandidaturave”, u shpreh Ivi kaso. Më tej Kaso ka akuzuar maxhorancën se është tërhequr nga marrëveshja e firmosur më 5 qershor në prani edhe të ndërkombëtarëve. E ndërkohë që këshilli po shkon drejt fundit për amendimin e Kodit Zgjedhor, opozita e re e ndarë në disa kampe në Parlament paralajmëron se nuk do të votojë draftin që do të vijë në Parlament. Por Kaso nuk e sheh këtë si një problem real.

“Është një teatër qesharak. Maxhoranca ka provuar në Kuvend se zotëron votat e nevojshme për çfarëdo lloj iniciative që ka dashur të ndërmarrë, qofshin këto edhe ato të perceptuara gjerësisht si antikushtetuese. Në këtë kontekst nuk besoj se do të ketë ndonjë problem për të siguruar votat e nevojshme për të respektuar angazhimet që ka marrë lidhur me miratimin e Reformës Zgjedhore përpara miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë. ‘Rebelët’ janë vetëm disa aktorë që bëjnë lojën e regjisorit Edi Rama”, tha Kaso.

“Pas një pune intensive disamujore Këshilli Politik është pranë përfundimit të një pakete amendamentesh, të cilat prekin Kodin aktual zgjedhor dhe një seri ligjesh të rëndësishme. Prioritet javët e fundit ka qenë përkthimi në draft ligjor i dakordësisë së palëve mbi aspekte të rëndësishme të administrimit zgjedhor. Për fat të keq, në hartimin e zgjidhjeve dhe dispozitave konkrete maxhoranca është tërhequr nga dakordësia e shprehur edhe në prezencë të faktorit ndërkombëtar mbi institucionin më të rëndësishëm që administron dhe menaxhon procesin zgjedhor, pra mënyrën se si do të formatohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kjo, në vijim të tentativave të vazhdueshme të saj përgjatë këtij procesi për kapjen dhe kontrollin e administrimit të zgjedhjeve. Aktualisht opozita ka dhënë propozime dhe zgjidhje konkrete se si duhet të formatohet KQZ-ja në përputhje të plotë me angazhimet e marra nga palët në dokumentin e dakordësisë së datës 5 qershor. Jemi në pritje të reflektimit të maxhorancës mbi këto propozime dhe shpresojmë që fillimi i javës së ardhshme të sjellë zhbllokim të procesit, çka do të sillte dhe përfundimin e paketës së plotë në një kohë të shkurtër”, shtoi Kaso ndër të tjera.

 

Të fundit