Ekzekutimi i Khashoggit, OKB: Heshtja e SHBA-së ‘nuk është opsion’

Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, tetorin e kaluar, sugjeron një eksperte e Kombeve të Bashkuara. “Heshtja nuk është opsion, duhet reagim”, tha Agnes Callamard, hetimet e së cilës kanë konstatuar se vrasja e Khashoggit në konsullatën saudite në Stamboll ka qenë “një ekzekutim jashtëgjyqësor”.

Callamard, raportuese e posaçme e OKB-së për ekzekutimet jashtëgjyqësore ose arbitrare, deklaroi se Khashoggi është “vrarë brutalisht” brenda konsullatës më 2 tetor. SHBA-ja duhet të kërkojë një hetim nga FBI-ja, sugjeron ajo, duke folur përkrah së fejuarës së Khashoggit në një konferencë në Londër.

Raporti i saj 101-faqesh, i publikuar në qershor, konstatoi se ka “dëshmi të besueshme” se princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, dhe zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë janë individualisht përgjegjës për vrasjen e Khashoggit.

Khashoggi, kritik i Qeverisë saudite, ka jetuar në SHBA dhe ka shkruar për gazetën Washington Post. Ai është parë për herë të fundit duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll, më 2 tetor. Agjentët sauditë e kanë vrarë gazetarin brenda konsullatës, por autoritetet insistojnë se ata nuk kanë vperuar sipas urdhrave të princit Mohammed.

Callamard tha se Perëndimi është duke u përballur me një “deficit demokratik”, duke mos iu përgjigjur zemërimit publik për vrasjen. Arabia Saudite është aleate e ngushtë e SHBA-së.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përshkruar atë si “aleate jetësore” dhe i ka kundërshtuar thirrjet për sanksione kundër udhëheqjes së mbretërisë, për shkak të vrasjes së Khashoggit.