Armando Gjini, 48 vjeçari i njohur si anëtar i grupit të Met Kananit, gjeti vdekjen në mes të Rrëshenit pasi u qëllua disa herë me pistoletë.
Policia është duke punuar në tre pista kryesore për vrasjen e Gjinit.
Dyshimet e para për ekzekutimin e tij kanë të bëjnë me prishjen e pazareve të drogës që lidhet edhe me të kaluarën e tij në Belgjikë.
Por, për shkak se familja e Armando Gjinit është përfshirë në një konflikt të përgjakshëm shumë vite më parë, hetuesit kanë marrë parasysh edhe pistën e gjakmarrjes.
Kjo pistë gjen mbështetje edhe tek mënyra e ekzekutimit të tij, e cila, sipas hetuesve, i ngjan stilit mafioz.
Pista e tretë ku po hetohet është ajo e borxheve që Gjini mund të ketë pasur. Për këtë hetuesit kanë vendosur që në ditët në vazhdim të marrin në pyetje edhe pjestarët e familjes, në mënyrë që të informohen më shumë rreth kësaj vrasje.
Hetuesit dyshojnë se ekzekutimi i Armando Gjinit është bërë nga vrasës me pagesë, për nga mënyra se si është kryer ajo. Deri tani janë shoqëruar në polici 10 persona për këtë ngjarje, por janë lënë të lirë.
Discussion about this post