Elmaz Sherifi: Ku është shteti i së Drejtës, zoti Palmer?

Ish kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Elmaz Sherifi ka reaguar me anë të një deklarate të fortë në lidhje me legjitimitetin e votimeve të 30 qershorit.

Sherifi i drejtohet në këtë reagim zyrtarit të lartë të DASH, Matheë Palmer, duke i kujtuar një deklatarën e këtij të fundit, sipas të cilit legjitimiteti për këto votime mund ta vendoste vetëm Gjykata Kushtetuese.

“Pyes, se e kam shumë të vështirë ta kuptoj! Para zgjedhjeve vendore, zoti Palmer, zyrtar i lartë i DASH deklaroi se legjitimitetin e votimeve të 30 qershorit duhet ta përcaktojë Gjykata Kushtetuese. Dje, (pardje) zoti Palmer u shpreh se në Shqipëri duhet të krijohet Gjykata Kushtetuese! Po legjitimitetin e votimeve, kur dhe kush do e vendos?

Nëse kjo është Filozofia e së Drejtës e SHBA, unë nuk mund të jem kurrë me të. Shqipëria shtet është bërë para një shekulli. Edhe në kohën e shtetit të Diktaturës së Proletariatit shtet ishte, por nuk ishte Shtet i së Drejtës. Sot Shqipërisë nuk i mungon vetëm Gjykata Kushtetuese, por edhe Gjykata e Lartë. Dje (pardje) u shpreh shqetësimi se do mbetemi edhe pa Gjykatë Apeli.

Kemi një parlament të sajuar. Jemi me Prokurore të Përkohshme të Përgjithshëm prej 2 vjetësh. Nuk kemi Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Vetëqeverisja vendore u zëvendësua me Këshillat Popullore të Rretheve. Ku është shteti i së Drejtës që ta kuptoj, zotin Palmer?”, shkruan Sherifi. /Telegraf/