Emisionet politike në ekranet shqiptare, cili është më i “shtrenjti”, një sekondë kushton 50 euro

Debatet politike janë kthyer tashmë në kryefjalë të ekraneve televizive. Por, emisionet e darkës janë ‘arenat’ ku zhvillohen shpesh edhe me sherre mes të ftuarve.

Në këto kushte, emisionet politike janë kthyer edhe një ‘magnet’ i mirë për reklamat dhe sponsorët, duke bërë që emisionet politike të jenë një nga fashot e orareve më të paguara.

Sipas revistës Monitor, emisioni më i shtrenjtë është renditur ai i Blendi Fevziut “Opinion” në tv Klan, ku një sekondë kushton 50 euro (rreth 6,300 lekë me kursin aktual) vetëm gjatë ditës së enjte.

Po sipas revistës, transmetimet nga e hëna në të mërkurën tarifat e reklamës janë rritur ndjeshëm, me 74% në 40 euro për sekondë.

Në emisionin e Vizion Plus, “Top Story”, nga Sokol Balla, që konkurron në të njëjtin orar të enjten, një sekondë reklamë kushton, sipas tarifave zyrtare 6 mijë lekë. E njëjta tarifë është edhe të hënën në orën 21:00.
Më i lirë të enjten ka qenë programi politik i Top Channel. Në sezonin e kaluar, si tek “Top Story” ashtu dhe tek të “Pa Ekspozuarit”, një sekondë reklamë kushtonte 2,700 lekë.