Flash News

KRYESORE

Emrat/ Kush janë 84 kandidatët që plotësojnë kriteret për organet e vetting-ut

Avokati i Popullit Igli Totozani njoftoi të premten, se në përfundim të vlerësimit të dokumentacionit të dorëzuar nga kandidatët aplikantë për organet e vettingut, rezulton se 84 prej tyre i plotësojnë kriteret formale, ndërsa 109 të tjere nuk i kanë përmbushur ato.

Aktualisht, tha Totozani, i kemi dorëzuar Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit(ONM) listën me emrat e kandidatëve, që i kanë plotësuar kriteret; listën e kandidatëve, që nuk i plotësojnë ato; procesverbalin e dorëzimit të dosjeve; etj.

Avokati i Popullit sqaroi se nëse në institucion, gjatë këtyre ditëve, do të mbërrijnë zarfe me dokumenta kandidatësh, që mbajnë vulën e postës me datën e dorëzimit brenda 27 Marsit, (që është edhe afati ligjor i pranimit të tyre), këto dokumenta do të konsiderohen të vlefshme, si dhe do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit nga ekspertët e AP-së, së bashku me ata të ONM-së.

Në listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret bien në sy emrat e Albana Shtyllës, sekretare e Kuvendit, Ina Rama, ish-kryeprokurore e Shqipërisë dhe gjykatësja Shpresa Beçaj.

Më 6 mars Kuvendi vendosi të kthejë edhe njëherë mbrapsht listën që kishte ardhur nga ONM dhe Avokati i Popullit, duke shpallur rihapjen e garës për kandidatët e rinj, pasi numri 21, u konsiderua i pamjaftueshëm, për 27 vendet e organeve te vettingut.

Por, në seancën plenare të 16 marsit parlamenti shfuqizoi vendimin e 10 ditëve më pare për rihapjen e garës, duke lëne në fuqi vetem plotësimin e dokumentacionit për kandidatët që kishin aplikuar qysh në fillim.

Të fundit