Emri i Maqedonisë, Aleksis Tsipras: Shoh një marrëveshje ku vetëm fitojmë

Shikoj një marrëveshje ku ne vetëm fitojmë, u shpreh kryeministri grek, Aleksis Tsipras në një intervistë për televizionin publik ‘ERT’ në lidhje me marrëveshjen e arritur me qeverinë e Maqedonisë për çështjen e emirt.

“Ndihem i lumtur dhe me fat që ndodhi të jem kryeministër në një kohë kur kishte një ndryshim politik të konsiderueshëm në vendin fqinj, i cili i dha kryeministrit Zaev dhe mua mundësinë për të bërë një përpjekje të vërtetë dhe të mundimshme për të zgjidhur problemin që zgjaste prej dekadash”, theksoi Aleksis Cipras.

Sipas kryeministrit grek, marrëveshja solli përfitime të shumta për Greqinë dhe rajonin, ndërkohë që hodhi poshtë kritikat.

Megjithatë, marrëveshja mes Athinës dhe Shkupit, që Maqedonia të emërohet Maqedonia e Veriut, ka indinjuar opozitat e djathta në të dy anët e kufirit.

Në dy kryeqytetet, përgjegjësit e së djathtës kanë shpalosur vullnetin e tyre për të penguar marrëveshjen, që ende nuk është ratifikuar zyrtarisht.

Presidenti maqedonas i afërt me opozitën nacionaliste, Gjorge Ivanov, deklaroi se nuk do të nënshkruajë marrëveshjen.

“Ky është pozicioni im përfundimtar dhe nuk do të ndryshojë nën presion”, theksoi ai në një mesazh drejtuar kombit.

Nga ana tjetër rivali konservator i Tsiprasit, Kiriakos Micotakis, ngriti kërcënimin e një mocioni mosbesimi që mund të paraqitet të enjten ose të premten sipas medias greke.