Ende aktiv zjarri te “Siri Kodra” në Tiranë, digjet gjatë natës edhe vila 4-katëshe e biznesmenit

Vijon të jetë aktiv zjarri te rruga “Siri Kodra” në Tiranë, që përfshiu ish-magazinat frigoriferike. Për pasojë, një magazinë dy katëshe është shkrumbuar bashkë me materialet elektrike që kishte brenda. Sipas neës 24 bëhet fjalë për materiale elektrike, vegla pune elektrike dhe abazhurë.

Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes nga forcat zjarrfikëse me 8 autobotë që prej pasdites së djeshme kur u lokalizua, zjarri vazhdon të jetë aktiv në disa vatra të vogla, siç duket dhe nga këto foto.

Mësohet se si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur edhe banesa e pronarit të magazinës, që ndodhej ngjitur me magazinën e përfshirë nga zjarri. Bëhet fjalë për një ndërtesë 4-katëshe. Kati i dytë dhe i tretë shërbente si shtëpi banimi për pronarin dhe shkak për depërtimin e flakëve nga magazina janë bërë dritaret prej xhami, të cilat nga nxehtësia e lartë kanë shpërthyer duke i hapur rrugë depërtimit të flakëve.

Nga ndërhyrja e zjarrfikësve janë mundur të shpëtohen rrobaqepësia dhe dy banesa që ndodheshin pranë magazinës. Shkak i zjarrit dyshohet paraprakisht, të jetë bërë një shkëndijë elektrike.