Ende asnjë reagim nga Qeveria, Liga e Futbollit përshkallëzon protestën, çfarë pritet të ndodhë në fundjavë

Presidentët e klubeve të Kategorisë Superiore duket se nuk do të ndalen vetëm me bojkotin e kampionatit, por do të përshkallëzojnë protestat në mënyra të ndryshme deri në plotësimin e kërkesave nga qeveria.

Qeveria autorizoi si negociator deputetin Fidel Ylli, por ende nuk po gjendet gjuha e përbashkët me drejtuesit e klubeve të cilët duken të vendosur t’i shkojnë deri në fund kësaj beteje.

Fundjavën e ardhshme, në ditën kur ishin caktuar për t’u luajtur ndeshjet e javës së dytë të Kategorisë Superiore sipas kalendarit dhe çifteve përkatëse, mësohet se skuadrat do të zbresin në fushën e lojës, por për të protestuar e jo për të luajtur. Futbollistët nuk do të shkelmojnë topin, por do të lexojnë kërkesat e Ligës Profesioniste të Futbollit drejtuar qeverisë e më pas do të largohen nga drejtkë, duke vijuar bojkotin.

Gjithashtu, mësohet se format e protestave do të jenë nga më të ndryshmet, ku përfshihet edhe dalja e futbollistëve me uniforma në bulevardin përpara kryeministrisë në mënyrë që të tërhiqet vëmendja e të gjithë opinionit publik.

Klubet i kanë paraqitur qeverisë disa kërkesa dhe më konkretisht:

  • uljen e TVSH-së në masën 6%;
  • faljen e gjobave dhe kamatëvonesat e detyrimeve tatimore, fiskale e të sigurimeve të prapambetura;
  • efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat personale të lojtarëve, të shtrihen nga 2 në 10 vite;
  • të miratohet ligji i vërtetë i sponsorizimeve, në vend të mashtrimit të qeverisë, që sot propagandohet si ligj sponsorizimi për Sportin.