Flash News
How Ceno Klosi tolerated the incinerator company, the dubious negotiations for millions of euros
Abazovic speaks: Why did Montenegro vote against Kosovo in the Council of Europe
After Berber's arrest, Rama appoints a new director in charge of the Albanian Road Authority
An apartment on 'Zogu i Parë' boulevard in Tirana is engulfed in flames
Berisha: We were the first opposition to apply for NATO membership after the fall of communism
Nga “Zgjedhorja”, te reforma territoriale dhe shkarkimi i presidentit Meta, “detyrat e vjetra” që vendosin përballë Ramën dhe Bashën
Me nisjen e legjislaturës së re më 10 shtator, maxhoranca dhe opozita duhet të ulen në tryezë për të diskutuar dhe vendosur fatin e çështjeve të lëna pezull.
Reforma zgjedhore, reforma territoriale dhe shkarkimi presidentit Ilir Meta janë tre nga prioritet e parlamentit të ri, ku opozita rikthehet pas dy vitesh mungesë.
Reforma Zgjedhore
“Zgjedhorja” mbeti “peng” e mosmarrëveshjeve të maxhorancës dhe opozitës duke mos gjetur një gjuhë të përbashkët për të gjetur njëherë e mirë “të Mesmen e Artë”.
Maxhoranca dhe opozita e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit do të duhet të ulen në tryezë për të vulosur fatin e “Zgjedhores”. Palët duhet të dakordësojnë përbërjen e komisioneve zgjedhore, që në bazë të marrëveshjes së 5 qershorit, u vendos që të kontrollohen nga partitë politike deri në vitin 2025.
Në bisedimet 6-ditore për të arritur një gjuhë të përbashkët në marrëveshjen e Reformës Zgjedhore, palët kundërshtuan vazhdimisht njëra-tjetrën për kushtet e vendosura.
Partia Demokratike kundërshtonte me argumentin se komisionet do të dominoheshin nga punonjës të administratës çka hidhte poshtë një nga kushtet e marrëveshjes për ‘Zgjedhoren’ që ishte depolitizimi. Nga ana tjetër, Partia Socialiste pranonte vetëm ndarjen sa i përkiste përbërjes së komisioneve duke këmbëngulur që të paktën 3 anëtarë të komisionit të vinin nga administrata publike.
Më 5 qershor 2021, palët e përfshira në tryezën e diskutimit për Reformën Zgjedhore, maxhoranca, opozita dhe opozita jashtëparlamentare, nënshkruan marrëveshjen e përbërë nga 12 pika.
Në bazë të marrëveshjes, palët ranë dakord për implementimin e identifikimit elektronik si një program pilot në procesin zgjedhor të 25 Prillit, çka nënkuptonte identifikim elektronik 100% të votuesve, votimin dhe numërimin.
Një risi që solli marrëveshja ishte dhe ristrukturimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Marrëveshja përcaktoi që KQZ të kishte një zv.komisionerëve i cili do të përcaktonte mundësinë e futjes së identifikimit biometrik në zgjedhjet e 2021-it si dhe do të monitoronte rekrutimin dhe trajnimin e komsionerëve në praninë e kryetari dhe një eksperti.
Depolitizimi dhe administrimi i zgjedhjeve mbeten ende çështje të hapura. Me marrëveshjen e 5 qershorit, palët nuk sollën asnjë ndryshim në administrimin e zgjedhjeve, duke vendosur që përbërja komisioneve zgjedhore të kontrollohej nga partitë politike deri më 2025. Palët e përfshira në Këshillin Politik u tërhoqën nga depolitizimi, duke lënë të pandryshuar përbërjen e komisioneve zgjedhore nga anëtarë të administratës publike. Kështu, i takon parlamentit të ri të vendosë ose jo për një ‘riformatim’ të përbërjes së komisioneve zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme.
Një pjesë e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor u reflektuan në zgjedhjet e 25 Prillit. Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR e cilësoi procesin përgjithësisht transparent dhe të qetë teksa theksoi se “partia në pushtet nxori avantazh të rëndësishëm nga ajo detyrimi, duke përfshirë përmes kontrollit të tij të administratave lokale, dhe nga keqpërdorimi i burimet administrative. Kjo u amplifikua nga mbulimi pozitiv i institucioneve shtetërore në media. Pretendimet për blerjen e votave nga partitë politike ishin përhapëse gjatë fushatës dhe një numër i lartë e hetimeve u hapën në këtë drejtim.”
Reforma territoriale
Opozita ka paralajmëruar se me rikthimin në parlament do të kërkojë rishikim e reformës territoriale. Diplomatët e huaj në Shqipëri i kanë bërë thirrje palëve, pas nisjes së punimeve të parlamentit të ri, të ulen dhe të diskutojnë për të zgjidhur ngërçet dhe për t’i dhënë shtysë ecurisë së reformës territoriale.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, kreu Lulzim Basha paralajmëroi ndryshime kushtetuese duke theksuar se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të nënshkruara nga Rama dhe Berisha asokohe, nuk i përmbushin më nevojat e shoqërisë shqiptare për demokraci.
“Është tashmë e qartë që ndryshimet kushtetuese të 2008-ës nuk i përshtaten më nevojës ulëritëse të shoqërisë shqiptare për më shumë demokraci, për kontrollin dhe balancën e pushteteve, ndaj për t’i dhënë fund kapjes së shtetit, duhen ndryshime rrënjësore që duhet të vijnë si një reflektim dhe veprim i përbashkët i Partisë Demokratike dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipërmarrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë një demokraci funksionale”, u shpreh Basha.
Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama i ftuar në studion e “Opinion” nuk e përjashtoi mundësinë e një bashkëpunimi mes tyre dhe opozitës së rikthyer në parlament. Rama tha se opinionet mes tyre bien ndesh dhe se do t’i drejtohet me një kundërofertë PD-së nëse opozita është gati që të “mos e shajë më Shqipërinë në anglisht”.
“Që nesër. Por i kemi opinionet ekstremisht të kundërta. Unë mendoj se duhet të kemi më pak bashki. Ata mendojnë se duhet të kemi më shumë. Megjithatë jam i gatshëm të ulemi”, u shpreh kryeministri Rama.
Sinjali i parë nga demokratët për një tryezë të përbashkët mes PS dhe PS, erdhi nga Roland Bejko, i zgjedhur nga radhët e PD-së si përgjegjës në procesin e reformës territoriale. Ai u shpreh se opozita është e gatshme të ulet dhe të diskutojë lidhur me reformën territoriale.
“Ne mendojmë se 2/3 e bashkive ku krijuan për interesa politike. Prandaj ne themi ulemi në një tryezë, së bashku me shoqërinë civile dhe të diskutojmë mbi ndarjen e re territoriale, siç e përcakton Kushtetuta e Shqipërisë”, tha Bejko.
Shkarkimi i presidentit Ilir Meta
Kuvendi votoi shkarkimin e presidentit Ilir Meta me 104 vota pro, pasi Komisioni Hetimor parlamentar i ngritur nga Partia Socialist konstatoi 17 shkelje të Kushtetutës nga ana e presidentit Meta. Meta u bë presidenti i parë në histori që shkarkohet nga organi më i lartë që përfaqëson sovranitetin e një vendi demokrat.
Ishte kryeministri Edi Rama që dha sinjalin e parë për shkarkimin nga detyra të presidentit të vendit vetëm dy ditë para procesit zgjedhor të 25 Prillit. Paralajmërimi erdhi pasi presidenti Meta u shfaq hapur kundër ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim dhe vetë Shteteve të Bashkuara.
“Meta ka tradhtuar misionin e presidentit, ka turpëruar popullin shqiptar në marrëdhënie me SHBA-në, ka zhgarravitur fytyrën e Shqipërisë në marrëdhënie me përfaqësuesit e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri. Meta i ka humbur përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë për t’u kthyer në binarët e arsyes ligjore. Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën, prandaj ky parlament sot do të ushtrojë vullnetin e më shumë se 90 për qind të qytetarëve. Meta ka mbaruar punë dhe fjalët për të si president kanë mbaruar, tani të flasë parlamenti me vote”, tha kryeministri Rama.
Vetë presidenti Ilir Meta deklaroi se nëse Komisioni i Venecias konstaton se ai ka shkelur parimet dhe ligjet e Kushtetutës së Shqipërisë kur anuloi zgjedhjet lokale të 30 Qershorit.
“Të thotë Komisioni i Venecias që Presidenti ka shkelur Kushtetutën dhe unë të rri President? Kurrë në botë. Unë kam bërë një punë normale, kam çdekretuar dekretin që kam nxjerrë vetë. Ky është një dekret ekskluziv i Presidentit”, ka thënë Meta.
Por kjo nuk ndodhi. Presidenti Meta përmes zëdhënësit të tij, Ted Blushi deklaroi se në 2022 do t’i rikthehet LSI-së. “Presidenti Meta në respekt të sakrificave për demokracinë, që ka bërë LSI, i njofton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj se më 24 korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI dhe do t’u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e Shqiptarëve”, thuhej në deklaratë.
Reagimet nuk vonuan as nga pala socialiste. Kru i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla u thumboi presidentin duke u shprehur se presidenti edhe pak e dot kishte gati “letrat e pensionit”.
“Me Baba Dridhe Liken çuditen vetëm ata që s’e kuptojnë akoma që i ka lëshuar pëllumbat përfundimisht! Askush s’ka pritur të mbajë fjalën për dorëheqje! Po ja të mbarojë procesi i numërimit dhe t’ia bëjmë gati letrat e pensionit, të pijë raki me çifteli me Saliun ke azili Lalzit!”, shkruante Balla.
Gjykata Kushtuese është ajo që pas shqyrtimit, verifikimit dhe vërtetësisë së provave e fakteve të dorëzuara në dosje, do të japë vendimin final për shkarkimin ose jo të presidentit Ilir Meta.