Flash News

OP-ED

Rama po vaksinon ‘komunistët’?

Rama po vaksinon ‘komunistët’?

Alfred Lela 

Nuk pajtohem me linçimin që po i bëhet Tinka Kurtit dhe Robert Ndrenikës, me ububunë e madhe lëshuar lugjeve të internetit se medemek, ata i janë shitur Ramës. Ky lloj mendimi përjashton mundësinë që njerëzit të kenë të drejtën e ushtrimit të lirisë.

Është një mbetje mentale e komunizmit, që e shpall tjetrin të shitur, tradhtar apo të padenjë për radhët monolite të ‘kastës së të drejtëve’.

Nëse ne mendojmë se Shqipëria po shkon teposhtës, dy aktorët janë në të drejtën e vet për të thënë të kundërtën. Nëse ne nuk e durojmë Edi Ramën, dy artistët në pension janë të lirë ta duan deri në loçkë të zemrës.

Kjo është njëra pamje e fushatës së vaksinimit dhe piarit politik që Rama po përdor kur kanë mbetur edhe 25 ditë për t’u rrëzuar apo rikonfirmuar në krye të qeverisë.

Në jug të breshkës së Sheshit Skënderbej janë hapur shatorret e ‘pashallëqeve të mëdha’ të vaksinimit. Pas artistëve në moshë, përfaqësuar nga Ndrenika dhe Kurti, u ka ardhur radha të vjetërve pa famë dhe shkëlqim. Në këtë që po ndodh ka një rastësi, sigurisht, por nuk mund të mos e quash ‘fatlume’.

Me procesin e vaksinimit Rama është duke çimentuar bazën më të sigurt të partisë që ai drejton: moshën e tretë. Ai po i gëzon deri në qiell duke ‘u zgjatur jetën’ dhe duke luajtur Zotin, te i cili njerëzit sa më shumë moshohen aq më shumë besojnë. Ndërkohë i bën gati fizikisht për 25 prillin.

Në mungesë të vaksinës ngurrimi i moshës së tretë për të shkuar në qendrat e votimit do të ishte i përligjur. Me dy të shtëna injeksionesh ruse apo kineze Rama ua fshin këto dyshime dhe i nxjerr në votime si levendët e dikurshëm të kohës së partisë, me votën ‘plumb për armikun’.

Ja edhe një rastësi tjetër fatlume. Bash ai brez që kaloi ca vite të mira nën morsetën e miqësisë me rusët dhe kinezët, vaksinohet dekada më vonë me barna që vijnë nga ish-kampi socialist.

Një hakmarrje e vonë e komunizmit botëror. 

Latest news