All - Scripts - 4
All - Scripts - 5

Flash News

Desktop - General - 1

KRYESORE

Enin nuk e zë gjumi

Enin nuk e zë gjumi
All - Paragraf - 1

Alfred Lela

All - Paragraf - 3

Eni Vasili, që shkruan rrallë, dhe mirë bën, ka qenë aktive në shtypin e shkruar njapak ditët e fundit. Të parën herë për të na lajmëruar se ka kapur prime-time e së enjtes në News 24, pas kalimit të 'Të paekspozuarit' në Top Channel. Tek lajmëronte zhvendosjen, Vasili nuk shmangte dot një ngazëllim ku dukej edhe njëfarë rivendikimi: sa ndaj fatit, aq edhe ndaj kolegëve burra.

E shkuara si e shkuara dhe burrat si burrat, Eni ka, që prej së enjtes, 'hapjen' e saj në Studio, dhe prej këtij horizonti premtonte se do t'i shihte në sy, do t'i sfidonte dhe do t'i mundte burrat e televizioneve. Tani do të më shihni, dukej se thoshte moderatorja që ka një karrierë të gjatë televizive të nisur në TVSh dhe ende rrugës.

Eni nuk është vetëm Eni, ajo është një prej shumë moderatorëve televizivë që luftojnë një ndër betejat më të egra mediatike, atë të audiencës. Edhe pse janë spontane (ende nuk ka një kampion matjeje të tillë, sa për t'u quajtur shkencore, të besueshme apo përfundimtare), në Shqipëri operojnë dy kompani që masin audiencat.

Eni ka të drejtë kur thotë se moderatoret femra janë të 'paragjykuara', sepse kështu është. Perceptimi se 'Opinion' dhe 'Top Story' ndiqeshin më shumë se prime-time e kolegeve gra si Tare, Xhunga dhe Vasili ka qenë thuajse gjithmonë i vërtetë. Kjo edhe sipas matjeve të audiencës të kryera nga dy kompanitë e përmendura më lart.

Beteja ka qenë gjithmonë mes 'Opinionit' dhe 'Top Story'-t. Kjo përplasje ka marrë një kthesë të re, që pas zhvendosjes së 'Të paekspozuarve'. Mbetet për t'u parë nëse Sokol Balla do mund të dëshmojë se audienca ishte e tij dhe jo e Topit.

Një prej arsyeve se pse koleget gazetare, që moderojnë emisione politike, nuk kanë mundur të dalin mbi drejtuesit burra, ka të bëjë edhe me faktin se nuk janë munduar aspak të mos i imtiojnë rivalët e tyre. Eni, për shembull, edhe pse e shante Fevziun, ka dashur edhe ta imitojë, edhe ta ketë rival, edhe ta mundë. Nuk është vetëm skema e emisionit që e tradhëton dëshirën për imtim të Fevziut, i cili edhe vetë imiton dikë tjetër (nuk ka se si kopja e kopjes së kopjes të shkëlqejë si risi).

Imitimi që shfaqet në konceptin e emisioneve, shtrihet edhe te anti-opozitarizmi dhe përfaqëson një gjë më të thellë, një formë të menduari. Gazetarët politikë të rëndësishëm të Tiranës e kanë shfaqur përherë, dhe si infeksion e kanë bartur dhe shpërndarë edhe në trupa të tjerë mediatikë.

Në kohën kur opozitën në Shqipëri e drejtonte Sali Berisha, nëpër rrathët mediatikë që rrotulloheshin mes Fidelit dhe Rognerit bënin kërdinë klishetë: 'Berisha ka vdekur; ka marrë fund; nuk vjen më në pushtet; është i izoluar; nuk e duan ndërkombëtarët; socialistë janë mjeshtra; rrinë në pushtet edhe 12 vjet'. E vetëkënaqësi vetëshërbyese të kësisojta.

Sot ua kap në majë të gjuhës shtampat e gatshme për Bashën: "është i dobët; nuk është lider; Berisha është kryetari i partisë; nuk vjen në pushtet ky; ka vënë gurin dhe po pret radhën; e shkatërroi partinë". E me radhë, e pafund.

Për habi, ndër gazeterët që i përsërisin më me patos këto forma të pamjaftueshmërisë së të menduarit, janë gratë. Kur i takon, mezi presin të mbarojnë përshëndetjen për të hedhur një fishek antiBashë. Eni shënoi rekord kur, pasi e ftoi në emision për ta pyetur liderin e opozitës, të nesërmen shkruante një editorial ku vazhdonte me pyetje.  

Pse ndodh kjo?

Pse pra, kur Kryeministri është treguar i dhunshëm verbalisht me gazetarët, sidomos me ato femra, dhe i ka fyer hapur sa herë u ka shkuar në studio. Eni, ta zëmë, është shtypur nga rruli i një fyerjeje të lëshuar në Studion e saj nga Rama. Të nesërmen, çuditërisht, nuk pati shkruar editorial. 

I bie që, nëse Enin nuk e zë gjumi një natë para se të intervistojë Ramën (siç ka treguar vetë), me Bashën ndodh e kundërta. Nuk e merr gjumi pas emisionit me të, pa shkruar edhe një editorial ku ta marrë në pyetje në mungesë.  

"Pse opozita nuk e ka në krah median ose të paktën një pjesë të spikatur të saj...?", pyeste Eni Vasili në editorialin 'Prita për Lulzim Bashën në Studion e Hapur'.

Ja pse, Eni.

Të futur mes morsës së pushtetit, i cili është sa joshës në favore dhe hije, aq edhe i frikshëm, dhe presionit të pronarëve, gazetarët dorëzohen. ("Kur të kesh median tënde mund të shkruash në mbrojtje të protestës së opozitës, në median time do të shkruash çfarë të kërkoj unë", këtë kërcënim-porosi të pronarit më rrëfeu drejtuesi i një të përditshmeje.)

Sa është ndjenjë faji, lepepeqeja e gazetarëve para pushtetit dhe anti-opozitarizmi ndaj Bashës, është edhe një përpjekje për të përligjur veten. Për të thënë se, nuk janë dorëzuar para pushtetit ngaqë ua lyp nevoja, por sepse opozita dhe Basha nuk janë gati.

Ata projektojnë diku tjetër pafuqinë, dobësinë dhe cenin e vet.

Politiko.al

Të fundit