Flash News

KRYESORE

Eno Bozdo/ ‘Stina e protestave’ të opozitës dhe ndikimi te analiza brenda PD. Vlerësimi për Veliajn?

Eno Bozdo/ ‘Stina e protestave’ të opozitës dhe ndikimi te

Tri pyetje nga Politiko për Eno Bozdon

Politiko.al

1- PD është përfshirë në një proces analize dhe konsultimesh, ndërkohë që emergjenca politike ka thirrur në skenë protestat. A do e pengojnë njëra tjetrën këto dy procese?

Procesi i Analizës dhe Konsulencës është thuajse në përfundim. Nga të gjitha të dhënat paraprake rezulton që ka qenë një proces i domosdoshëm dhe mjaft i vlefshëm. Por, më i rëndësishëm se procesi në vetvete, është zbatimi i rekomandimeve që do të dalin nga ky proces.

Ndërkaq, një pjesë e mirë e strukturës së PD, si detyrim statutor, por edhe si pasojë e analizës së rezultateve të zgjedhjeve të fundit, do të hyjë brenda këtij viti në zgjedhje për ripërtëritjen e organeve drejtuese.

Nga ana tjetër, situata politike kërkon tashmë angazhimin e PD në një front të dytë, atë të përballjes me mazhorancën. Një stinë protestash shpaloset me të drejtë përpara nesh. Ky është një realitet politik nga i cili PD nuk mund dhe nuk duhet të shmanget. Madje, personalisht, mendoj se disa hapa duhet ndërkaq të ishin hedhur në këtë drejtim. Sidoqoftë, protesta e fundit e PD tregoi se forca dhe shpirti i saj protestues janë të gatshme t`i bëjnë ballë kësaj situate me shumë sukses.

Të dyja këto situata, nevojshmëria për riorganizimin e brendshëm dhe “detyrimi” për t`i bërë ballë pushtetit të sotëm duke ngritur shpirtin e protestës, janë aksione që lëvizin në drejtime të ndryshme. Do të mundohemi deri në fund që këto dy procese të zhvillohen paralelisht, pa dëmtuar njëri-tjetrin. Gjithsesi, në fund të ditës, vetëm një PD  e organizuar mund të jetë në lartësinë e duhur për t`iu përgjigjur kërkesave dhe interesit qytetar, veçanërisht në kushtet që kalon Shqipëria, në kushtet e thyerjes së skajshme të besimit te institucionet, qofshin këto edhe politike, ndërsa shpresa për një Shqipëri më të mirë duket gjithnjë e më e largët. Me pak fjale, ngritja e shpirtit të protestës është objektiv i PD, i detyrueshëm për të tashmen, ndërsa kthimi i besimit dhe rindërtimi i vlerave politike dhe shoqërore janë objektiv madhor dhe i padiskutueshëm i saj. Unë besoj se vetëm një PD e tonifikuar mund t`i realizoje të dyja.

2- Duket se ka një dyzim për djegien e mandateve, llojin e protestës apo kohëzgjatjen e saj. A pritet që në janar të futemi në një 'stinë protestash'?

Më shumë se “dyzim” do të thoja që, për momentin, ka një përllogaritje të ftohtë mbi opsionin më të vlefshëm në shërbim të opozitës. Nuk mendoj se jemi ende në çastin e “dyzimit”, edhe pse ky do të ishte më se i justifikuar, sepse në të vërtetë nuk jemi ende në çastin e vendimarrjes. Ne presim zhvillime të reja politike në vend, presim një dinamikë ngjarjesh e cila më vonë do të rezultojë në marrjen e një vendimi apo të një tjetri. Dhe, nuk duhet të nxitohemi, as në emër të radikalizimit politik thjesht “për princip”, por as edhe të frenohemi për hir të druajtjes së mandateve të munguara. Thjesht, duhet marrë e gjithë koha e nevojshme për të konkluduar në një vendim logjik, të patjetërsueshëm, pa kthim mbrapa. Ky vendim duhet të marrë parasysh, jo thjesht aktualitetin, por edhe të shkuarën, dmth trashëgiminë e lëvizjes politike të PD. Këtu nuk mund të mos i referohemi “Çadrës së Lirisë”, si dhe objektivave të munguara apo të realizuara të saj. Vetëm një vendim i marrë në kontekstin e të gjitha ngjarjeve politike, dhe jo thjesht të një emocioni të rastit, do të jetë një vendim i peshuar mirë dhe që do t`i shërbejë kauzës opozitare.

3- Ju keni qenë n/kryetar Bashkie, si do e vlerësonit punën e z. Veliaj në krye të punëve të kryeqytetit?

Përgjigjia e kësaj pyetjeje ndoshta do të kërkonte shtjellim në një intervistë më vete. Për të ruajtur formatin e intervistës tuaj, si edhe për të mos rënë në sloganizmin politik të baltosjes së kundërshtarit, do të thoja në mënyrë lakonike se ky nuk është aspak vizioni im për Tiranën. Nuk shoh të zgjidhur (apo në rrugën e zgjidhjes) tri çështje kryesore të administrimit të qytetit, tri çështje të cilat ndajnë kaosin nga rregulli, konceptin urban nga marketingu i pavlerë, cilësinë e jetës nga stresi i kudondodhur. Këto janë çështjet e planifikimit urban, trasportit dhe mbetjeve. Në të tre këto fusha të mëdha, që dallojnë një metropol modern nga një vend të botës së tretë, Tirana e sotme dhe lidershipi i saj kanë dështuar me sukses të plotë.  Ndërkaq, betonizimi i Tiranës vazhdon me shpejtësi të paprecedentë, paralelisht dhe në përpjestim të drejtë me rubrikat televizive të modifikuara gjenetikisht të Erion Velisë. Dhe, që ta përmbledh këtë mendim në një fjali: jo vetëm që nuk po ecim në 'drejtimin e duhur', por problematikat e gjetura janë thelluar edhe më tej. Nuk shoh zgjidhje për Tiranën, dhe për këtë me dhemb shpirti.

Të fundit