Flash News

KRYESORE

Enveri në Pezë? Ai është gjithandej...

Enveri në Pezë? Ai është gjithandej...

Dritan Shano

Të rikthesh në mënyrë sistematike Enver Hoxhën, imazhet dhe simbolikën e tij në jetën e shqiptarëve, është e njëjta gjë si të legjitimosh dhe te quash normale faktin se disa shqiptarë mund të fillojnë përsëri të internojnë, burgosin, torturojnë dhe pushkatojnë disa shqiptarë të tjerë, thjesht dhe vetëm sepse këta mendojnë ndryshe. Është njësoj si të pranosh mbivendosjen e gjyqeve popullore mbi institucionet e shtetit të së drejtës, vendimet e partisë mbi ato të qeverisë, se partia është qeveria, se kur themi partia, kemi thënë Enver dhe kur themi Enver kemi thënë partia. Pastaj, kur thua Kryeministër i ke thënë të gjitha fare.

Këmbëngulja e socialistëve për të legjitimuar Enver Hoxhën, dhuna që ata ushtrojnë mbi shqiptarët për të pranuar të keqen si të mirë, që të rikthehen edhe një herë në sistemin e vlerave kur partia shënonte ekzistencën tënde, është rruga që kanë zgjedhur. Kjo metodë me Enver, në mungesë të alternativës së dallueshme, po e shkreton dhe zbraz Shqipërinë. Shqiptarët, sot po ikin njësoj si ata shqiptarët e fundit që u larguan me vaporët dhe barkat e aleatëve nga vendi në 1944.

Nuk mund të ketë paqartësi, rrugë të mesme, mes të mirës dhe të keqes, mes dritës dhe errësirës, sado fort të duam të jetë kështu, apo na pëlqen e volit të jetë kështu. “Bashkëfajtorë dhe Bashkëvuajtës” u hodh në treg pikërisht si mundësi bashkëjetese e të mirës me të keqen, dhe njëherësh u bë deux ex machina përmes se cilës Enver Hoxha, mendësia, simbolika, idetë e tij filloi rikthimin në jetën e shqiptarëve. Sistemi i vlerave nuk është kompromis politik. Prandaj shqiptarët ikin nga Shqipëria atje ku kjo nuk ndodh si këtu.

Çdo kompromis politik mbi sistemin e vlerave është vetëm korrupsion që synon pushtetin dhe paranë, dhe jo një shoqëri të shëndoshë. Një shoqëri ku akti i të parit sy në sy dhe bashkëjetesës nuk është më një kompromis politik nga i cili përfiton njëra po tjetra palë, por një vullnet qytetar ku secili ka atë që i takon. Sot, për shkak të kompromiseve politike, që nuk i heqin qytetarinë të keqes, por e negociojnë apo amnistojnë atë, shqiptarët vazhdojnë të mos ta duan, por thjesht ta durojnë njëri tjetrin. Durimi i njërës palë tenton të fitojë mbi durimin e palës tjetër një herë në 4 vjet, sa herë hyhet në zgjedhje.

Idolatria pseudo-moderne që shpërfaqet në Pezë ndaj Enver Hoxhës, e financuar me paratë e taksave, është akti më përçarës dhe më i dhunshëm që mund t’u bëhet sot gjithë shqiptarëve, nga disa pak shqiptarë të tjerë që kanë pushtetin. Mungesa thuajse e qëllimtë e një ideje kombëtare, mes politikanëve të përhershëm – baballarë të kombit, për të ndërtuar dhe prosperuar Shqipërinë, përkundër majmjes së vetes dhe familjeve të tyre, së bashku me kulturën e përdorimin e pushtetit kryesisht si revansh ndaj palës tjetër dhe për përfitime personale çdo herë që ka zgjedhje janë krevati i përhershëm ku konsumohet ky akt i fëlliqur.

Problemi qe kemi si shoqëri, për shkak te negocimit të sistemit te vlerave dhe aministimit ciklik të së keqes, është se shumë shqiptarë nuk duan ta djegin këtë krevat të fëlliqur, por synojnë të kërcejnë edhe vetë mbi të, sapo t’u “buzëqeshë fati”. Kjo është dhe arsyeja pse mbi 30% e shqiptarëve, duan sot diktaturën.

Prandaj, gati 3 dekada pas kemi rrëzuar simbolikën e Enver Hoxhës si e keqja e Shqipërisë dhe shqiptarëve, Rilindja socialiste e Rilindi Enverin. Ai sot ka qeverinë dhe shumicën prej 74 deputetësh “kapitalistë” në parlament.

Të fundit