Flash News

OP-ED

Enveri nuk do të (ri)ngjallet as të dielën. Sa keq!

Enveri nuk do të (ri)ngjallet as të dielën. Sa keq!

Namir Lapardhaja

T'u flasësh shqiptarëve për zgjedhje moniste nuk ka kuptim. Një pjesë e konsiderueshme e tyre ende janë nostalgjik ndaj komunizmit. Dhe nuk mund të shërbejë si pasqyrë pikërisht një periudhë që për ta identifikohet me "qetësinë" dhe me "ushqeheshin të gjithë".

Është e njëjtë sikur t'u rikthesh sloganin "Punë dhe Dinjitet" pikërisht një populli që nuk e "ha" as punën dhe aq më tepër nuk ka kurrfarë lidhjeje, në masë të madhe, me dinjitetin. Por, pavarësisht kësaj, shqiptarët duhet të rrinë të qetë:

Enveri as këtë të diel nuk do të ngjallet;

do të kemi votime, por s'do të kemi zgjedhje;

do të kemi monopartitizëm, por s'do të kemi komunizëm;

do të kemi gjykata, por do të kemi drejtësi vetëm për pushtetin;

të gjithë do të jenë të barabartë përpara ligjit, por disa do të jenë edhe më të barabartë;

do të kemi gjyqe politike, por s'do të kemi dënime me vdekje;

do të kemi prokurori, por s'do të kemi procedime për politikanët e korruptuar;

do të kemi propagandë, por s'do të kemi punë konkrete;

do të kemi lugën në brez, por do ta kemi bosh;

do ëndërrojmë "gjellë pasanikësh", por do kapemi pas kotheres së bukës;

do premtohet drejtësi sociale, por do thellohet padrejtësia njerëzore;

do proklamohet rritje ekonomike, por do varfërohen më shumë xhepat e shqiptarëve;

do tregohet me gishtin tregues nga Perëndimi, por do mbahet ai pak më tej nga stepat e Lindjes;

do të kemi më shumë gallatë në TV, por më pak punë konkrete;

zhurmë nuk do kemi, por qetësi sigurisht që jo;

lekë më shumë s'do kemi, por, ama, për bukë askush s'do vdesë...

Jemi mirë. Jemi mirë. Përderisa frymojmë, jemi mirë. Ka edhe më keq. Ja, ç'a duam më shumë.... Pavarësisht të gjithave, Enveri sërish nuk do të (ri)ngjallet të dielën.

Sa keq...

Të fundit