Erdogan krahason Netanjahun me Hitlerin: Nuk ka asnjë dallim nga devijimi hitlerian rreth racës ariane

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka kritikuar ligjin kontrovers izraelit, i cili përcakton Izraelin si një shtet hebre.

“Ky ligj tregon pa asnjë dyshim se Izraeli është shteti më cionist, më fashist dhe më racist në botë”, tha Erdoğan në një mbledhje të grupit parlamentar të partisë së tij të Drejtësisë dhe Zhvillimit (AK Parti) në Ankara.

Presidenti turk i bëri thirrje të gjithë botës demokratike dhe liberale që të mobilizohen kundër Izraelit.

“I bëj thirrje gjithë botës islame, botës së krishterë, të gjithë shteteve demokratike dhe liberale, institucioneve, shoqërive civile dhe mediave që të mobilizohen kundër Izraelit”, tha Erdoğan.

Më tej, ai tha se nuk ka asnjë dallim në mes të devijimit hitlerian rreth racës ariane dhe qëndrimit të autoriteteve izraelite se vendet e shenjta të atjeshme u përkasin vetëm hebrenjve.

“Fryma e Hitlerit që çoi botën në shkatërrim është ngjallur tek disa krerë izraelitë”, theksoi presidenti Erdoğan.

Javën e kaluar, Parlamenti i Izraelit (Knesset) miratoi ligjin, i cili përshkruan Izraelin si “shtet komb i popullit hebre”.