Erdogan zotohet se 500 banesat e premtuara do të ndërtohen brenda një viti

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan u zotua se 500 banesat e premtuara për të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit, do të jenë gati pas një viti. Ai shtoi se vendi i tij do të vazhdojë që të mbështesë Shqipërinë.

“Përsa i përket ndërtimeve, ka filluar puna. Të gjitha ekipet janë andej dhe në kontakt me ministren e Kulturës në Shqipëri. Po presim që të vendoset për vendin ku do të ndërtohet, në mënyrë që të nisë sa më shpejt procesi”, deklaroi Erdogan, për mediet në Stamboll, ku edhe u mbajt konferenca ndërkombëtare e nivelit të lartë për investimet publike e private.

Kreu i shtetit turk tregoi se po diskutohet që një pjesë të ndërtimeve t’i bëjmë çelik dhe një pjesë ndërtim normal.

“Diskutuam me kryeministrin dhe ai tha se banesat mund të jenë gati brenda 6 muajsh deri në një vit”, – tha Erdogan.

Presidenti turk bëri të ditur se janë dërguar drejt Shqipërisë edhe një numër i madh çadrash speciale dimërore, pasi koha është e ftohtë.

“ Edhe kryeministri bëri thirrje dhe unë e përsërita thirrjen për ndihmë edhe një herë pas kryeministrit Rama dhe shpresoj të marrim përgjigje pozitive, që vendet e tjera të ndihmojnë”, u shpreh Erdogan.