Flash News

KRYESORE

Erion Veliaj tjetër lehtësim për ndërtuesit e kullave në Tiranë, u përgjysmon taksat

Erion Veliaj tjetër lehtësim për ndërtuesit e kullave

Doni të ndërtoni për qëllime ngritje zyrash në qendër të Tiranës?! Bashkia iu vjen në “ndihmë” të gjithë ndërtuesve! Në fakt bëhet fjalë për atë ndërtues që ka marrë leje ose pret të marrë leje nga ana e Bashkisë me anë të një vendimi që pritet të propozohet dy ditë më vonë. Dhe sigurisht edhe të votohet, meqë edhe nëse has në rezistencën e opozitës, këshilli bashkiak i ka votat për ta kaluar. Bëhet fjalë për përgjysmimin e taksës për ndërtimet e reja që do të kenë objekt të qëllimit të ndërtimit të tyre zyrat deri në një sipërfaqe të përcaktuar!

Pak ditë më parë, anëtarëve të këtij këshilli iu është shpërndarë një njoftim për thirrjen e mbledhjes së këshillit Bashkiak. Njoftimi është shpërndarë me 25 janar dhe mbledhja mësohet se do të mbahet me 31 të këtij muaji. Mbledhja thirret për të shqyrtuar jo pak por plot 10 projekt vendime. Por ndër të tjera, projektvendimi i fundit rendor, po jo për nga rëndësia, ka të bëjë me një propozim uljeje të TNI (Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë). Por me sa duket për këtë propozim dhe për këtë taksë bashkia e Tiranës i ka përcaktuar edhe biznesmenët përfitues pasi vetë vendi që është zgjedhur për ta vënë në zbatim këtë projektvendim është pikërisht qendra e Tiranës, që nënkupton Bulevardin dhe zonën e ish-Bllokut.

Në relacionin sqarues tregohet se cili është qëllimi i kësaj takse ndërsa sqaron se ulja e taksës nuk do të jetë për të gjitha ndërtimet në kryeqytet e aq më pak për një kohë të pacaktuar. Aplikimi i favorizimit është vetëm për qendrën, ndërsa hartuesit e këtij projekt vendimin pretendojnë se janë fokusuar tek modelet e vendeve të rajonit e po ashtu edhe duke u nisur nga qëllimi i mirë për të mos lejuar shpërndarjen në mënyrë jo të duhur të taksimit të ambienteve që janë për banim por që përdoren si zyra.

Propozimi

Këshillit Bashkiak të Tiranës do t’i propozohet për miratim ulja e taksës së ndikimi në infrastrukturë për ndërtimet e reja në masën 4 për qind të çmimit për shitje për m2, nga 8 për qind që është aktualisht. Ulja e taksës nuk do të jetë për gjithë ndërtimet që do të kryhen në kryeqytet dhe as për gjithë kohës. Përgjysmimi i taksës do të aplikohet për ndërtimet në qendër të Tiranës në zonën e ish-Bllokut dhe në Bulevardin e ri. Vendimi është vetëm për një kategori ndërtimesh, ato që në projetet e tyre kanë të parashikuara zyra. Sipërfaqja e përgjithshme e zyrave duhet të arrijë deri në 30 mijë m2, më pas ky përcaktim ligjor “pushon” edhe çdo ndërtim tjetër më vonë që do të ketë zyra nuk do të përfitojë përgjysmim të taksës së ndikimit në infrastrukutë. (Shekulli)

Të fundit