Erl Murati: Rama përgjegjës për Valdrin Pjetrin, nuk mjafton distancimi përmes rrjeteve sociale

Gazetari Erl Murati ka komentuar në studion e ‘Opinion’ zbulimin e fakteve nga ana e PD për figurën e kryebashkiakut të Shkodrës, Valdrin Pjetrit. Partia Demokratike ka publikuar me prova konkrete se Valdrin Pjetri, përfaqësuesi i PS, i shpallur fitues në 30 qershor për bashkinë e Shkodrës ka qenë i dënuar për trafik drogë në Itali në vitin 2003.

Sipas Muratit përgjegjës për figurën e Pjetrit është Edi Rama, pasi sipas tij ai duhet të kishte kaluar në disa filtra para se të kandidohej për kryebashkiak.

“Deri tani jemi në një goditje të opozitës. Duhet të flasin institucionet, nëse Pjetri ka fshehur dënimin. Sot patëm një “mea culpa” të Ramës, kemi një distancim formal të tij nga Pjetri. Por, kjo nuk e largon përgjegjësinë e Ramës nga emërimi i Pjetrit në Bashkinë e Shkodrës. Refuzoj të besoj që Rama nuk di asgjë për këtë dënim, ndaj ai ka përgjegjësi. Mazhoranca duhet të kishte bërë verifikim më parë, duhet të kishte filtruar të kaluarën e tij. PS duhet të kishte sot një përgjigje të qartë, nëse Pjetri ka qenë apo jo i dënuar. Nëse ka qenë i dënuar, Rama duhet të shkarkojë këtë njeri dhe ta çojë për ndjekje penale. Në të kundërt ai duhet të dalë në konferencë për shtyp dhe të thotë që akuzat e opozitës nuk janë të vërteta. Do duhet që mazhoranca të marrë përgjegjësi dhe nuk mjafton distancimi përmes rrjeteve sociale i Ramës”, tha gazetari Murati.