Flash News

KRYESORE

Ervin Bushati: Krijimi i Fondit të Ballkanit Perëndimor është mëse i mirëpritur

Ervin Bushati: Krijimi i Fondit të Ballkanit Perëndimor

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, duke folur për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes me vendin pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor”, tha se ky mekanizëm i ri do të jetë shumë i nevojshëm për të harmonizuar bashkëpunimin dhe projekte të përbashkëta.

“Ky mekanizëm i ri që propozohet sot, mendoj që do të jetë shumë i nevojshëm për të harmonizuar bashkëpunimin, bashkërendimin dhe pse jo projekte të përbashkëta të vendeve që më parë nuk kanë patur ura komunikimi siç ishte Kosova me Serbinë apo qoftë edhe Kroacia me Serbinë, etj”, u shpreh Bushati në seancën e sotme plenare.

Deputeti i PS-së Bushati theksoi se krijimi i Fondit të Ballkanit Perëndimor është mëse i mirëpritur, sepse Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Serbia do të ulen dhe do të kenë projekte të përbashkëta.

“Kam dy sygjerime: Së pari mendoj se formati që do të bashkëpunojnë të jetë i marketueshëm në mënyrë edhe më konkrete, më të thjeshtë, më të prekshme dhe me thithëse nga ana e marketimit, për të afruar sa më shumë të rinj, për të afruar sa më shumë shtresa apo grupe interesi, të cilat janë të interesuar siç mund të jetë turizmi, sepse e bëjnë më të thjeshtë dhe më bashkëpunues procesin. Sot shohim raste ku turizmi, sidomos ai alpin, po kombinon paketa të përbashkëta ndërmjet Malit të Zi, Kosovës, Shqipërisë dhe pse jo dhe Serbisë. Ka shumë të huaj që vijnë nga Europa Qëndrore apo edhe Nordike që duan të shikojnë këto vende si një paketë e vetme. Duhet ta trajtojnë Ballkanin si një paketë e vetme turistike”, theksoi deptueti socialist.

Bushati nënvizoi edhe faktin se krijimi i këtij fondi nuk ka kosto financiare.

“Ndërkohë që ne i kemi dhënë 72 mijë euro për pesë vjet, që është kostoja e munguar ekonomike e zyrave, prapë është një kosto financiare e cila do të regjistrohet në bilancet e shtetit shqiptar. Unë do të doja që duke filluar nga viti i ardhshëm Ministri i Jashtëm dhe Ministri i Financave të flasin për të krijuar një fond të përbashkët, ndoshta fillimisht një fond modest, por këtij fondi bashkëpunimi i duhen dhënë edhe mjetet financiare që nesër të kemi disa projekte të përbashkëta. Të ftojmë disa të rinj nga të gjitha trevat e këtyre vendeve, të kemi disa projekte kulturore, turistike, kulinare, etnografike etj, ndaj do të doja që vitin e ardhshëm të shikohen edhe hapësirat financiare, mes ministrit të Financave dhe ministrit të Jashtëm për të patur projekte të sakta”, deklaroi Ervin Bushati.

Të fundit