Flash News

KRYESORE

A është Saimir Tahiri, 'përparimspahiu' i PS?

A është Saimir Tahiri, 'përparimspahiu' i PS?

Alfred Lela

Në qershor të vitit të shkuar, Lëvizja Socialiste për Integrim përjashtonte deputetin Përparim Spahiu nga grupi parlamentar, në një lëvizje që asokohe u duk e çuditshme. Deputeti i Dibrës kishte deklaruar se nuk ishte gati ta ndante sovranitetin e Shqipërisë me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, një prej mekanizmave të procesit të vettingut. Shqipëria e asokohe vlonte nga përbetimet pro-vetting dhe Ilir Meta, ndoshta edhe i kompleksuar nga aleati-armik, Rama, bëri kokë turku deputetin e vet. Në satërin e paranojës se ai, Meta, dhe LSI, nuk mund të shiheshin dhe as shfaqeshin anti-vetting, një propagandë së cilës i mëshonte, në prapaskenë me devocion dhe në skenë me nënkuptime, Edi Rama.

Deputeti Spahiu bëri sikur u largua, LSI bëri sikur e përjashtoi, dhe jeta vazhdoi deri në votimin plebishitar me 140 vota të vettingut. Sa për kujtesë, deputeti, atëherë i përjashtuar, Spahiu, është sot në Kuvend nën ngjyrat dhe besnikërinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. (Ndoshta e ka shpëtuar fakti se, të paktën me votë, nuk i doli kundër vettingut.)

Një vit e disa muaj më vonë, vettingu na thërret sërish në provën e tij. Kësaj here në test është, dora vetë, dashnori i përbetuar i tij, Edi Rama. Një deputet i PS, superministri i dikurshëm, Saimir Tahiri është nën akuzë pas publikimit të një dosjeje të Prokurorisë së Katanias ku sipërfaqëson edhe emri i tij në bisedat e përgjuara të kushërinjve-trafikantë, Habilaj.

Kronika e reagimeve të Ramës është e njohur tashmë: 'nuk më besohet', 'druri i shtrembër', 'të bëhet drejtësia'. U duk se Kryeministri do të jetonte në lartësinë e pritshmërive që ai vetë kishte ngritur në raport me drejtësinë, dhe do lejonte që kanakari i tij të hetohej pa koracën politike. Përshtypja ndryshoi shpejt dhe ai vendosi të hidhej në mbrojtje të Tahirit, bashkë me të gjithë mekanizmat politikë të partisë, pushtetit dhe medias.

Kjo ishte strategjia e tij, ndërkohë që si taktikë ai vendosi të bëhej Ilir Metë dhe të shpallte një Përparim Spahi. E përjashtoi, në një seancë të transmetuar live, Saimir Tahirin nga grupi parlamentar dhe nga postet partiake. Nuk iu bë vonë se ra në një paradoks (kundërshti) duke e zhveshur nga postet partiake dhe nga anëtarësia në grupin parlamentar, në të njëjtën kohë që e vishte me mburojën e trashë të protektoratit politik dhe mediatik.

Ka shumë, megjithatë, që nga koha e Kreshnik Spahiut, që nuk i hamë spahinjtë.

Të fundit