Flash News
Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetarët kërkojnë largimin e Klosit dhe Tavos
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Atentati ndaj avokatit në Memaliaj, vihet në pranga autori, sekuestrohet arma
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Eshtrat e Mid'hat Frashërit në atdhe, mirënjohja dhe pendimi ynë
Agron Shehaj*
Ndjehem më i vogël e më i përunjur se kurrë në jetë teksa më duhet të flas për Mid’hat Frashërin, patriotin, djetarin dhe shqiptarin e madh, jeta dhe vepra e të cilit janë në themelet e kombit tonë, të gjuhës tonë dhe të frymës perëndimore të shqiptarëve.
Që sot ne jemi këtu, në atdheun tonë Shqipëri, duke folur gjuhën tonë shqipe, si europianë të vërtetë, është rezultat i rrugëtimit që nisën më shumë se një shekull më parë, ata që e çliruan atdheun tonë nga robëria orientale otomane dhe ia kthyen atij vështrimin drejt dijes dhe Perëndimit.
Shqipëria e pavarur, shqipja e bukur dhe shpirti ynë perëndimor janë arritja madhështore e patriotëve etër të kombit tonë, mes të cilëve pa asnjë mëdyshje është Mid’hat Frashëri, pjesëtari i denjë i familjes më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë.
Shqiptarëve të tillë, kombi ynë do t’u jetë mirënjohës në përjetësi. Mid’hat Frashërit brezat e sotëm i detyrohen dyfish: i detyrohen mirënjohjen për jetën dhe veprën në shërbim të Shqipërisë perëndimore, por edhe pendimin për përpjekjen për ta dënuar dhe harruar këtë jetë e vepër.
Prehja e eshtrave të tij në Shqipëri është jo vetëm mirënjohja që ne i bëjmë kësaj jete, është jo vetëm shprehje e ndjesës së thellë të vendit të tij për vuajtjet që i solli birit që e deshi më shumë se të tjerët, por edhe një monument që na bën të ndjehemi një komb i denjë perëndimor.
Ndaj unë, dhe të gjithë ne të Institutit 'Lumo Skëndo', jemi, sot, veçanërisht krenarë për një kontribut sado të vogël për një njeri të madh.
Do doja të flisja pafund për Mid’hat Frashërin, por fjalët e mia janë të pafuqishme, fjalët e mia janë të kota. Ndaj po përsëris për Mid’hatin fjalët që ai vetë tha për ungjin e tij, Naimin:
“O shqipëtarë, në doni të nderoni kujtimin e këtij njeriu të math që po e qan sot e tërë Shqipërija, mbani mënt fjalët e tij: Jeni të mirë, vetijpastrë, doni mëmëdhenë dhe gjuhënë tuaj!”
Mirënjohja më e madhe për njerëzit si Mid’hat Frashëri është të duam atdheun dhe gjuhën tonë.
Fjalët e fundit që Mid’hati shqipëroi vetëm pak orë para se të jepte shpirt ishin: “Shqiptarët duhet të jenë të denjë, për të qenë shërbëtorët e Shqipërisë.”
Të jemi shërbëtorë të Shqipërisë është virtyti që duhet të kultivojmë në veten tonë dhe të rrisim te fëmijët tanë.
Le të jemi të denjë për Shqipërinë, që Shqipëria dhe gjuha shqipe që shpëtuan Frashëllinjtë dhe etërit patriotë të rrojnë përjetë.
*Deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Bashkëthemelues i Institutitt 'Lumo Skëndo'. Fjala e mbajtur sot në botimin e 'Vepra 3' të Mid'hat Frashërit, botimi i këtij Instituti.