Flash News

KRYESORE

Euro 2020/ Bare beson te 6 pikët, Kumbulla entuziast për ftesën te kuqezinjtë

Euro 2020/ Bare beson te 6 pikët, Kumbulla entuziast për ftesën

Keidi Bare është rikthyer në kombëtaren kuqezi. Mesfushori ndihet i lumtur për këtë gjë, ndërsa tregon për përgatitjet e Shqipërisë për sfidën kualifikuese ndaj Francës dhe Islandës për Euro 2020.

“Të them të drejtën e prisja shumë këtë ftesë dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Shpresoj që tani të jap maksimumin për të mirën e ekipit.”, tha ai për mediet.

Lojtari foli për konkurrencën te kuqezinjtë, e gjithashtu për faktin se te Malaga, ku ai luan në Spanjë ëhstë bashkuar edhe sulmuesi i kombëtares, Armando Sadiku.

“Unë stërvitem maksimalisht për veten time dhe jam i përqendruar për të bërë më të mirën për ekipin. Ata kanë shumë ndeshje me Kombëtaren dhe shumë eksperiencë, pro unë jam gati të jap më të mirën time. Sadiku? Fola me Sadikun dhe më tha që ndihet shumë mirë atje. Njerëzit atje janë shumë mikpritës dhe besoj se Sadiku do të japë maksimumin për të bërë diçka të mirë për atë skuadër.”

I pyetur nëse beson te një rezultat pozitiv në Francë, ai u përgjigj: “Unë besoj çdo gjë, pasi në futboll mund të arrish gjithçka, pavarësisht kundër kujt luan. Megjithatë ne duhet të japim maksimumin tonë dhe të shpresojmë që të marrim diçka. Me sa pikë do isha kënaqur nga këto dy takime? Të them 6, dukem pak si egoist. Franca është shumë ekip i fortë, por ne mund të tentojmë që të marrim të paktën një barazim.

Në konferencë për shtyp foli edhe Marash Kumbulla, një prej risive të trajnerit Edi Reja në listën e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjet eliminatore ndaj Francës dhe Islandës.

Qendërmbrojtësi 19-vjeçar është bërë pjesë e skuadrës së parë të Veronës dhe ka luajtur titullar në dy javët e para të Serisë A.

“Është një ëndërr që sapo ka nisur. Trajneri Juriç më ka besuar shumë dhe më ka dhënë hapësira, ndaj shpresoj të vazhdoj kështu e të justifikoj besimin e tij deri në fund. Isha shumë i emocionuar për ftesën te kombëtarja, pasi jam 19 vjeç dhe do të luaj sërish me Shqipërinë U21. Megjithatë isha shumë i lumtur kur më thirri trajneri Reja. Më duket skuadër shumë e mirë, me shumë lojtarë me eksperiencë ndërkombëtare. Shpresojmë të marrim sa më shumë pikë të mundemi në këto dy takime. Më kanë pritur shumë mirë dhe më ndihmojnë si në fushë, ashtu edhe jashtë saj, ku më mbajnë afër.”, tha Kumbulla.

Të fundit