Flash News

KRYESORE

Euro 2020/ Holanda fiton me poker golash ndaj Gjermanisë dhe hakmerret (video)

Gjermania doli kokulur nga stadiumi “Volksparkstadion” i Hamburgut, pas përballjes me Holandën në sfidën kualifikuese për Euro 2020. Pancerat u mundën me poker golash nga tulipanët, në një ndeshje plot emocion dhe spektakël.

Djemtë e Roland Koeman-it morën kështu hakmarrjen e tyre, pasi në sfidën e parë, atë të 24 marsit, ishte ekipit i drejtuar nga Joachim Loew që fitoi në Amsterdam me rezultatin 2-3.

Tri pikët e marra janë me shumë vlerë për Holandën, pasi në Grupin C, kishin grumbulluar vetëm 3 pikë dhe rrezikonin moskualifikimin.

Ndeshja nisi mjaft mirë për vendasit, që e gjetën golin pas 9 minutash me autor Gnabry-n. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Gjermanisë. Në 45 minutat e dyta, u pa në fushë një tjetër Holandë.

Në minutën e 59 ishte mesfushori i Barcelonës De Jong, që shënoi golin e barazimit. Vetëm 7 minuta më vonë, Depay lëvizi bukur pa top dhe befasoi mbrojtësin gjerman Jonathan Tah, që devijoi topin në rrjetën e Neuer-it.

Pancerat në të 73’ barazuan, pasi De Ligt preku topin me dorë dhe arbitri akordoi penallti, që e realizoi Toni Kroos. Por kur kishin mbetur 10 minuta nga fundi, Malen mposhti për herë të tretë Neuer-in, ndërsa në minutën e parë shtesë ishte Wijnaldum realizoi pokerin golave.

Gjermania ka 9 pikë në 4 ndeshje, kurse tulipanët 6. Grupi C kryesohet nga Irlanda e Veriut me 12 pikë të plota në 4 takimet e para. Në takimet e tjera (8) , Kroacia shpartalloi Sllovakinë me rezultatin 0-4, ndërsa në transfertë triumfuan edhe Rusia me Belgjikën. Sllovenia befasoi kundër Polonisë (2-0). Uellsi mundi Azerbajxhanin 2-1, kurse Austria luajti tenis me Letoninë (6-0).

Të fundit