Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Europa dhe Ballkani në vitin 2019: çfarë parashikuan ekspertët dhe, a patën të drejtë?
Aleksandar Ivković / European Western Balkans
Përkthimi: Politiko.al
Në dhjetor të vitit 2018, më shumë se 30 prej opinionbërësve më me ndikim nga rajoni dhe BE u mblodhën në Beograd për të bërë parashikimet e tyre në lidhje me tendencat dhe dinamikën e zhvillimeve të politikave në vitin 2019.
Gjatë pjesës me dyer të mbyllura të konferencës, të organizuar nga Fondi Europian për Ballkanin, Grupi i Këshillit të Politikave të Ballkanit në Europë (BiEPAG) dhe Ballkani Perëndimor Europian, ngjarjet e pritshme në zhvillimet e vitit 2019 u diskutuan gjerësisht dhe EWB përmblodhi përfundimet në formën e parashikimeve.
Pothuajse shtatë muaj të konsumura nga ky vit, pasi shumica e zhvillimeve të rëndësishme të vitit tashmë kanë ndodhur, është koha që t'u kthehemi parashikimeve dhe të shohim se si janë 'plakur' ato.
Parashikimi: Marrëveshja e Prespës do të ratifikohet me sukses, duke ndikuar pozitivisht integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO
Realiteti: Më 11 janar 2019, Parlamenti i Republikës së Maqedonisë miratoi amendamentet kushtetuese me shumicën e kërkuar prej dy të tretave, duke ndryshuar emrin e saj në Republikën e Maqedonisë Veriore. Parlamenti grek pasoi dy javë më vonë, duke ratifikuar Marrëveshjen e Prespës nënshkruar në qershor 2018. Kjo gjë hoqi pengesën më të madhe për pranimin e Maqedonisë në NATO, i cili mund të përfundojë në dhjetor të këtij viti.
Integrimi në BE do të përparojë më ngadalë, por është marrë gjithashtu hapi më i rëndësishëm në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe. Marrëveshja pritet të mbetet e paprekur, pavarësisht nga ndryshimi i qeverisë në Athinë.
Parashikimi ka qenë korrekt.
Parashikimi: Britania e Madhe do të largohet nga BE më 29 mars, marrëdhënia e ardhshme do të vazhdojë të kërkojë punë
Realiteti: Qeveria e Tereza May-t nuk arriti të fitojë mbështetje të mjaftueshme për marrëveshjen e saj në Parlament, kryesisht për shkak të klauzolës irlandeze, gjë që bëri që Këshilli i Europës të shtynte largimin e Mbretërisë së Bashkuar më 31 tetor. Do t'i mbetet kryeministrit të ri konservator, Boris Xhonson për të gjetur një kompromis deri atëherë, duke rrezikuar rritjen e mëtejshme të popullaritetit të Partisë Brexit nëse nuk ka sukses. Marrëdhëniet e ardhshme midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE do të mbeten të pazgjidhura për disa kohë pas daljes zyrtare të MB, e cila ndoshta do të pasohet nga një periudhë tranzicioni.
Parashikimi ka qenë kryesisht i gabuar.
Parashikimi: Zgjedhjet për Parlamentin Europian do të rezultojnë në humbje të dukshme, megjithëse ende të moderuara për partitë tradicionale, me pjesëmarrje të ulët
Realiteti: Partia Popullore Europiane dhe Partia e Socialistëve Europianë morën rezultate më të këqija në 2019 se pesë vjet më parë, duke humbur së bashku 65 vende. Këto humbje megjithatë janë zhvlerësuar nga nga përfitimet e koalicionit ALDE + Macron (Renew Europe) dhe Të Gjelbrit Europianë, ndërsa grupi i krahut të djathtë "Identitet dhe Demokraci" e dyfishoi numrin e vendeve, megjithatë nuk mori më shumë se 10% të deputetëve.
Krahasuar me zgjedhjet kombëtare, pjesëmarrja mbeti e ulët, por u rrit për herë të parë në historinë e zgjedhjeve të Parlamentit Europian, nga 43% në 51%.
Parashikimi ka qenë kryesisht i saktë.
Parashikimi: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të hapin negociatat gjatë takimit të qershorit të Këshillit të Europës, nuk do të miratohet një strategji e re gjithëpërfshirëse zgjerimi
Realiteti: Pavarësisht nga ofensiva të rëndësishme diplomatike nga ana e zyrtarëve nga Shkupi dhe Athina dhe një iniciative të 13 shtete anëtare, Këshilli i Europës vendosi të shtyjë vendimin deri në tetor 2019. Parlamenti gjerman shtyu diskutimin për t'u dhënë deputetëve më shumë kohë për të shqyrtuar raportet e Komisionit Europian për të dy vendet, ndërsa parlamenti holandez votoi kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë. Asnjë strategji gjithpërfshirëse e zgjerimit nuk është miratuar; procesi i pranimit të Serbisë dhe Malit të Zi në dukje po ngadalësohet.
Parashikimi ka qenë kryesisht i gabuar.
Parashikim: Nuk priten përparime në Samitin e Procesit të Berlinit në Poznań
Realiteti: Përfundimet kryesore të takimit në qytetin polak të Poznańit në fillim të korrikut ishin njoftimi i një presidence të përbashkët të Procesit të Berlinit; thirrjet ndaj BE që të ngrejë zërin për çdo shenjë autoritarizmi në rajon; dhe, mbështetja për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Samiti triditor që përbëhej nga Forumi Think Tank, Forumi i Shoqërisë Civile, Forumi i Biznesit, Takimet Ministrore dhe Samiti i Liderëve, solli në qendër të vëmendjes Ballkanin Perëndimor në një kohë kur krerët e BE-së u përpoqën të zgjedhin kandidatët për postet e larta. Asnjë iniciativë madhore, siç ishte themelimi i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor disa vite më parë, nuk u mor gjatë Samitit.
Parashikimi ka qenë korrekt.
Parashikim: Komisioni i ri Europian do të formohet edhe njëherë nga super-koalicioni i PPE, Socialistët dhe Demokratët dhe Liberalët, dyshohet se sistemi Spitzenkandidaten do të mbijetojë.
Realiteti: Ursula von der Leyen, ish-ministre e Mbrojtjes së Gjermanisë, u zgjodh si Presidente e re e Komisionit Europian më 16 korrik me 383 vota, shtatë më shumë se shumica absolute e kërkuar, me votat konfirmuese nga EPP, S & D dhe Renew Europe - megjithatë, disa prej deputetëve nga dy grupet e fundit, përfshirë anëtarët e SPD gjermane votuan kundër. Von der Leyen u mbështet gjithashtu nga partitë në pushtet të Hungarisë dhe Polonisë, ndërsa të Gjelbrit, të Majtët dhe 'Identiteti dhe Demokracia', votuan kundër. Ajo ishte një kandidate kompromisi pasi sistemi Spitzenkandidaten u refuzua nga presidenti francez Macron, si dhe disa liderë të PPE. Poste të tjera të larta në BE u ndanë gjithashtu midis tre grupeve më të mëdha.
Parashikimi ka qenë korrekt
Parashikimi: Kosova dhe Serbia do të mbeten pezull, ndoshta nuk do të ketë marrëveshje normalizimi deri në fund të vitit
Realiteti: Megjithë përpjekjet e Gjermanisë dhe të Francës për të ringjallur dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës në takimin në Berlin më 29 prill, nuk kanë pasur takime të reja nën mbikqyrjen e BE: presidentët Vuçiç dhe Thaçi janë takouar vetëm në Konferencat e Mynihut dhe Bratislavës. Takimi i Parisit midis drejtuesve të të dy vendeve është shtyrë dhe tarifat për mallrat nga Serbia mbeten një nga pengesat më të mëdha për rinovimin e negociatave. Situata në veri të Kosovës mbetet e paqëndrueshme.
Komisioni Europian nuk do të jetë në gjendje të rifillojë ndërmjetësimin deri në nëntor dhe zgjedhja e Josep Borell si Përfaqësues i Lartë i ri ka krijuar pakënaqësi në Prishtinë për shkak të mosnjohjes nga Spanja të pavarësisë së Kosovës.
Parashikimi ka qenë korrekt.
Parashikim: Zgjedhjet e mundshme të jashtëzakonshme, sidomos në Serbi dhe Kosovë, nuk duhet të jetë një surprizë
Realiteti: Pas dorëheqjes së Kryeministrit Ramush Haradinaj, Kosova pothuajse me siguri po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, dy vjet para vitit të rregullt zgjedhor. Nga ana tjetër, pavarësisht spekulimeve, Serbia pritet të mbajë vetëm zgjedhjet e treta pas një periudhe të plotë katërvjeçare, që nga viti 1990, marsin e ardhshëm. Nëse opozita do t'i bojkotojë ato, mbetet për t'u parë. Zgjedhjet e parakohshme janë përmendur edhe në Maqedoninë e Veriut, por qeveria e Zoran Zaev është ende në pushtet. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si në Maqedoni edhe në Mal të Zi, janë planifikuar për në vjeshtë 2020.
Parashikimi ka qenë kryesisht i saktë.
Parashikim: Demokracia do të vazhdojë të përkeqësohet në rajon, me shpejtësi të ndryshme në vende të ndryshme
Realiteti: Sipas raporteve vjetore të Komisionit Europian 2019, Indeksi i Lirisë në Botë 2019 nga Freedom House, Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2019 i Transparency International dhe Indeksi i Lirisë së Shtypit në Botë nga Reporterët Pa Kufij, të gjashtë vendet në rajon ende përballen me probleme serioze në fushat e sundimit të ligjit, lirive të medias, luftës kundër korrupsionit dhe demokracisë. Disa përparime janë bërë nga Maqedonia e Veriut, e cila ka qenë në fund të renditjes për vite, ndërsa situata në tre deri në pesë vitet e fundit është përkeqësuar më së shumti në Serbi, e cila ka rënë në kategorinë "pjesërisht e lirë" (Freedom House) për herë të parë që nga viti 2000. Vende të tjera nuk regjistruan përparime serioze dhe as kthim prapa.
Protesta anti-qeveritare shpërthyen gjatë muajve të parë të vitit në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi, duke reflektuar polarizimin politik dhe pakënaqësinë me partitë në pushtet.
Parashikimi ka qenë kryesisht i saktë.
Parashikim: Njerëzit nga Ballkani Perëndimor do të vazhdojnë të emigrojnë në vende më të qëndrueshme dhe më të begata
Realiteti: Çdo prirje e vitetve të fundit tregon se "votimi me këmbë" ka qenë në rritje në rajon dhe nuk ka pasur veprime të qenësishme në muajt e parë të vitit 2019 për ta ngadalësuar. Numri i emigrantëve ekonomikë nga vendet e Ballkanit Perëndimor në Gjermani është rritur në 66.000 në vitin 2018 dhe ligjet e reja të emigracionit mund të përshpejtojnë procesin. Sondazhet tregojnë se shumica e të rinjve duan të lënë vendet e tyre në kërkim të një jete më të mirë, dhe paqëndrueshmëria e perceptuar e vazhdueshme vetëm sa do të përkeqësojë prirjen, theksojnë komentatorët.
Është shumë herët të thuhet, por parashikimi ndoshta do të jetë i saktë.