Flash News

KRYESORE

Europa një "Klub i krishterë". Ky është problemi?

Europa një "Klub i krishterë". Ky është problemi?

Alban Daci

60 vjetori i Traktatit të Romës u festua me madhështinë e saj.

Roma është qendra e botës antike e simboli i botës moderne.

Aty, është qyteti i Vatikanit.

Aty është Papa.

Disa njerëz, që bëjnë këshilltarët e politikanëve shqiptarë, me rastin e 60 vjetorit të "Traktateve të Romës", kanë publikuar një foto ku janë të gjithë liderët e Europës e në qendër është Papa Françesku.

Ideja e këshilltarit në fjale ishte, se Europa është një "Klub i Krishterë" dhe kjo qenka arsyeja që nuk qenkemi ne pjesë e Europës.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se kultura dhe civilizimi i Kontinentit Europian është ai i Krishterë.

Themeluesit e Europës së Bashkuar ishin Demokristianë. Ata mund të kishin të drejtën dhe mundësitë ta  quanin Europën si të donin. Ta quanin të krishterë apo katolike, ashtu siç e meritonte ndoshta!

Megjithatë, ata nuk e patën këtë kompleks dhe themeluan një “Union” që ruan diversitetet si pasuri.

Krijuan një “Union” dhe një formë organizmi sui generis duke evoluar më tej edhe format e organizimit ndërkombëtar, e mbi të gjithë duke evoluar konceptet e të Drejtës Ndërkombëtare e duke nxitur përtej koncepteve e paranojave, nevojat për bashkëpunim ekonomike dhe politik.

Këta njerëz të mëdhenj gjetën përgjigjen më të duhur kundër konflikteve dhe luftërave dhe kjo përgjigje ishte “bashkëpunimi”. Pra, njerëzit dhe popujt kanë më shumë nevojë të bashkohen dhe të bashkëpunojnë se sa të bëjnë luftëra.

Nëse Europa do të ishte "Klub i krishterë" nuk do të kishte asnjë problem për askënd, sepse krishtërimi ka vlera universale, në qendër vendos njeriun, familjen dhe humanizmin. Krishtërimi ka qëllim vëllazërimin mes popujve!

Të drejtat e njeriut që ne sot i gëzojmë si të drejta themelore, janë pjesë e doktrinës së krishterë. Të drejtat e njeriut janë rezultat i betejave të vazhdueshme nga Manja Karta, Luteri e deri në ditët e sotme. Ky është shembulli se si bota Perëndimore, me shumicë të krishterë ka përparuar duke përmirësuar e përshtatur me kohën konceptin e Shtetit, e po ashtu evolucionin e shoqërisë e ka konceptuar si pjesë të detyruar të përshtatjes, ndryshimit dhe modifikimit të kuadrit ligjor. Kjo është arsyeja që dëshmon dhe konfirmon faktin se modeli Perëndimor është ai që duhet të jetë si frymëzim dhe si inspirim edhe për modelet e shoqërive të tjera. Ndërsa, bota myslimane e ka konceptuar evoluimin shoqëror si diçka statike duke e ndarë atë nga kuadri ligjor. Nuk mund të evoluojë një shoqëri nëse ligjet dhe koncepti për shtetin janë ato të krijuara para një mijë vitesh dhe të pandryshueshme. Madje, e propogandojnë se asgjë nuk duhet të ndryshojë dhe duhet të jetë e pandryshuar deri në “fundin e botës”.

De Gasperi ka këtë koncept për Europën e Bashkuar (sot BE): “Europa ushqehet nga diversiteti i kombeve dhe të kulturave të tyre; vetëm një Europë demokratike dhe e hapur kundrejt diversiteteve do të jetë në gjendje të kuptojë inspirimin e kombeve dhe do të bëj të jetojnë më mirë autonomitë lokale.”

De Gasperi nuk e shikon Europën e Bashkuar jashtë dimensionit të Demokracisë.

“Kush nuk i shikon regjimet demokratike të bazuar mbi vullnetin e popullit dhe që mendon se varet vetëm nga vetëdija morale e qytetarëve? Popullit sovran nuk i mjafton vetëm virtyti i bindjes dhe i disiplinës; ai duhet të ketë edhe konceptin e përfaqësimit të qeverisë, ndjenjën e solidaritetit të komunitetit, forcën morale për të vetë limituar liritë në përballje me të drejtat e të “tjerëve” dhe energjinë për të mos abuzuar me institucionet demokratike për interesa e ngusha ose të disa klasave që nuk përfaqësojnë vullnetin e të gjithëve”- shkruan De Gaperi.

Demokracia krijon kushtet e bashkëjetesës civile dhe Europa është injeksioni më i mirë kundër helmeve të regjimeve diktatoriale të çdo lloj forme. A nuk është kjo Europa që duan popujt? A nuk janë këto frymëzimet demokristiane që themelon një Bashkim mbi bazën e mekanizmave demokratike për të krijuar bashkëjetesën civile!

Bashkimi Europian u krijua nga demokristianët pikërisht mbi këto vlera. Njëri prej baballarëve themelues të BE, De Gasperi mendonte se nuk kishte shumë rëndësi qasja ideologjike në politikë, por fryma solidarizuese për problemet sociale.

Bota myslimane edhe pse me shtrirje të ndryshme në kontinente po të ndryshëm, ka themeluar një lidhje që identifikohet pikërisht me besim fetar. Shume mirë kanë bërë dhe është një e drejtë e tyre.

Edhe Perëndimi mund të bënte një gjë të tillë, por nuk e ka bërë, sepse Perëndimi ka vlera të forta e histori të gjatë të betejave njerëzore për më shumë të drejta dhe demokraci dhe i ka kaluar fobitë e vjetra që lidhen me besimin fetar ose me kombin.

Perëndimi në kuadrin e të drejtave të njeriut të njohura ndërkombëtarisht i ka pranuar myslimanët si qytetarë të lirë dhe nuk i ka tjetërsuar ose konvertuar.

Kjo gjë do të ishte e pamundur në botën myslimane dhe ky është një realitet që njihet nga të gjithë.

Perëndimi sot ka numrin më të madh të myslimaneve. Në Holandë ka xhami të mëdha e ka edhe kryetar bashkie mysliman.

Këto janë disa fakte për të mos besuar konspiracionin, se Shqipëria nuk hyn në Europë për shkak të shumicës myslimane.

Shqipëria nuk hyn në Europë, sepse nuk respekton demokracinë dhe të drejtat e liritë themelore të qytetarëve.

Shqipëria nuk hyn në Europë për shkak të politikanëve të inkriminuar e të korruptuar deri në fyt.

Madje, ky këshilltari që dëshiron të na mbushë mendjen, se Europa qenka "Klub i Krishterë" dhe për ne shqiptarët qenka qameti, i shërben njërit prej politikanëve më të korruptuar në Shqipëri dhe më antieuropian.

Bashkimi Europian është themeluar për të shmangur luftën në Kontinent dhe deri tani ja ka dalë.

Paqja është vlera kryesore edhe e besimit mysliman.

Është e turpshme që bëhen këto stereotipe mes besimit mysliman dhe të krishterë.

Të dy besimet janë me profet dhe histori të përbashkët, sepse kjo është vetë historia njerëzore që kur Zoti vendosi t'i krijonte.

Të fundit