Flash News

KRYESORE

Europa që duam, por nuk e kemi

Europa që duam, por nuk e kemi

Patrik Sadikaj

Sot është dita e Europës. Bukur fort! Gëzuar të gjithë atyre që ndjehen pjesë e saj. Unë jo, nuk kam asnjë motiv për t'u uruar. Nuk kam si te jem "europian".

Të jesh europian do të thotë të jetosh e të ndërtosh një vend europian. Sigurisht, disa politikanë i kanë disa prej këtyre standardeve dhe rendin pas Europës, por shqiptarët nuk kanë asgjë nga ato mbi të cilat u bashkua Europa pas lufte. Nuk kemi asnjë gjë për të festuar sot. Asgjë për të gëzuar nën hijen e flamurit të BE që valëvitet nga ata që kanë vrarë çdo aspiratë europiane.

Nuk shkohet në BE thjesht duke tundur flamurin me 28 yje në formë rrethi. As duke joshur me reforma boshe drejtuesit burokratë të Brukselit. Ata një ditë do ta shohim rrënimin që fshehin premtimet e shtetarëve dhe politikanëve tanë që bëjnë gjasmë-reforma, sa për t'i hedhur hi syve europianëve.

Jo, jo, jo!

Në Europë shkojmë vetëm duke e ndërtuar kë vend. Nuk shkojmë në BE për sytë tanë të bukur duke verbuar Merkelin e radhës, apo Macronin e radhës në Paris. Në BE duhet të shkojmë me qytetarë europianë e që jetojnë si europianë.

Në Bruksel nuk shkojmë dot me lista ushqimesh të papaguara, apo me njerëz që jetojnë me 18 mijë lek të vjetra ndihmë ekonomike në muaj. Në Europë nuk shkojmë dot për plazhet dhe malet tona të bukura nëse i shkatërrojmë çdo ditë. Nuk shkojmë me fushat e lëna djerrë se gjithçka e marrim nga fushat e mbjella e të punuara të Serbëve.

Europa, sado e dashur të jetë me hashashin tonë nuk do na i hapë dyert kurrë për shqiptarët nëse nuk i bëjmë shqiptarët europianë. Ai që do ta çojë Shqipërinë në BE duhet të bëjë Shqipërinë. Nuk mjafton fasada.

Nuk na bën europianë lyerja e buzëve kur ato janë të çara për bukë e ujë. Europa është ëndrra jonë e madhe. Por, që të bëhet realitet nuk mjafton të tundet thjesht flamuri i europianistit, por të bëhet ky vend ku ne jemi europianë në shekuj.

Nuk mundet dot askush të na e marrë këtë, anipse mund ta provojë.  

Të fundit