“Europë, nuk ishte çasti për përçarje, merr shembull nga Shqipëria”, zbardhet letra e profesorëve arbëreshë për Ursula von der Leyen

Zbardhet letra e dy akademikëve të njohur, Matteo Mandala dhe Francesco Altimari, titullarë të katedrave të Albanologjisë në Universitetet e Palermos e të Kozencës drejtuar Kryetares së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, pas nismës së qeverisë shqiptare duke dërguar ekipe me mjekë dhe infermierë në shenjë solidarizimi për mbështetjen e Italisë fqinje në luftën ndaj covid-19.

Letra është mirëpritur nga zyra e KE dhe i janë përgjigjur profesorëve arbëreshë në emër të Ursula von der Leyen.

Letra e profesorëve:

Në vëmendje të Zonjës Ursula von der Leyen

Letër e hapur Europës së popujve

Duke marrë shkas nga fjalimi i Edi Ramës, datë 28/3/2020 me rastin e nisjes së task-forcës shëndetësore shqiptare në ndihmë të zonave të Italisë më të goditura nga koronavirusi.

Europë e dashur, nuk është ky çasti i duhur për përçarje, por për bashkim. Një shembull i bukur t’u dha nga Shqipëria, nga një vend i vogël të cilit vetëm pesë ditë më parë i premtove më në fund t’i hapësh dyert e tua burokratike duke miratuar nisjen e negociatave për hyrjen e saj në Bashkimin Europian.

Tani duhet të vazhdosh në këtë rrugë guximi dhe dashurie. Nuk do ta kesh të vështirë! Kthe vështrimin nga e kaluara për t’i siguruar një të ardhme vetes. Mjafton, e dashur Europë, të rikujtosh historinë tënde, që është edhe jona. Mjafton të rilexosh Manifestin largpamës të Ventotenes për një Europë të lirë e të njësishme, të shkruar nga Ernesto Rossi dhe Altiero Spinelli. Mjafton të marrësh përsëri rrugën e vjetër të përvijuar nga etërit e tu themelues – De Gasperi, Schuman, Adenauer, Monnet, Spak – dhe, sipas shembullit të tyre, të vësh në jetë e të bësh të zbatueshme një fjalë të urtë të vjetër shqiptare, të ruajtur me fanatizëm (dhe të vënë në jetë gjatë historisë së tyre pesëqindvjeçare në Itali) edhe nga shqiptarët e Italisë – Arbëreshët:

GUR GUR BËHET MUR.

Kuptohet, është fjala për murin e solidaritetit, e ndarjes së gjërave të përbashkëta, të përfshirjes, dhe sigurisht jo atë të egoizmit, të indiferencës dhe të përjashtimit që nganjëherë ti, me zgjedhjet e tua, ndihmon që të ngrihet!

Europë e popujve, jep më në fund një shenjë të fuqishme për të shndërruar këtë alarm shëndetësor në një shtytje vendimtare për të realizuar idealet që të kanë lindur, bashkimin dhe solidaritetin mes qenieve njerëzore; përmbushi më në fund nevojat e qytetarëve të tu, mbështeti në të drejtën që të të shohin si shtëpinë “e tyre” të përbashkët.

Dëgjoje Papa Françeskun dhe thirrjen e tij të dhembshur – “Askush nuk ka për të shpëtuar vetë” – në qoftë se je vërtet e bindur që themelet e tua mbështeten në rrënjë të krishtera.

Dëgjo burra shteti si Sergio Mattarella, të cilin si italianë e falënderojmë pasi e konsiderojme si një pikë referimi të qëndrueshme të rindërtimit Tënd.

Mëso nga Edi Rama, të cilin e falënderojmë të prekur, bashkë me popullin bujar shqiptar, që të dha edhe një herë një kuptim komunitar ty, Europës sonë të dashur.

Përgjigjja e Komisionit Europian:

KOMISIONI EUROPIAN

Drejtoria e përgjithshme e Politikave të fqinjësisë dhe të negociatave për zgjerimin

D – Ballkani Perëndimor

D.4 – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina

Kreu i njësisë

Drejtuar:

Prof. Matteo Mandalà

Katedra e Albanologjisë, Universiteti i Palermos

Prof. Francesco Altimari

Katedra e Albanologjisë, Universiteti i Kalabrisë

Bruksel, 03/06/2020

Të nderuar profesorë,

Ju falënderojmë për letrën tuaj të datës 26 prill të këtij viti, drejtuar në vëmendjen e Kryetares së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila më ka ngarkuar t’ju përgjigjem. Morëm me kënaqësi thirrjen tuaj plot ndjenjë për solidaritet, bashkëpunim dhe për forcimin e integrimit europian. Shembulli i Shqipërisë, të cilit ju i referoheni, tregon edhe një herë rëndësinë e lidhjes strategjike mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Angazhimi i Bashkimit Europian për Shqipërinë është konkret. Gjatë viteve, dhe deri në krizën e fundit të pandemisë së Covid-19, ai është materializuar në një mbështetje të rëndësishme dhe në ndihmë të vazhdueshme. Me synimin për të mbështetur përpjekjet e qeverisë shqiptare për të zbutur pasojat e pandemisë në vijim, Komisioni Europian ka caktuar mbi 50 milionë euro. Kjo ndihmë u është drejtuar infrastrukturave shëndetësore, por edhe në mbështetje të sektorëve të ekonomisë më të rënduar nga kriza.

Një tjetër gjest i rëndësishëm solidariteti i kohëve të fundit për popullin shqiptar u konkretizua në 17 shkurtin e kaluar, në kuadrin e konferencës “Together for Albania – International Donor’s Conference”. Komisioni Europian ishte kreu i organizimit të veprimtarisë që siguroi në rang botëror mbledhjen e fondeve për të rindërtuar zonat e prekura nga tërmeti i tmerrshëm i nëntorit të vitit të shkuar 2019. Kontributi financiar i posaçëm i Bashkimit Europian është dëshmuar në 115 milion euro, të cilave u shtohen kontributet e shumë donatorëve dypalësh ose jo, me një total prej 1.15 miliard euro.

Siç ka deklaruar kohët e fundit kryetarja von der Leyen, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, pra edhe e Shqipërisë, është në Bashkimin Europian. Procesi i zgjerimit shpërblen meritat e vendeve që zbatojnë reforma për shtetin e së drejtës, për të drejtat themelore dhe proceset demokratike. Komisioni Europian do të vijojë dialogun e tij me Shqipërinë për këto tema, për të mirën e  shtetasve të Shqipërisë.